Patrullat e Policisë janë pozicionuar para hyrjes së Gazimestanit, ku po i presin qytetarët serbë që po vijnë nga Graçanica për të festuar festën e ashtuquajtur “Vidovdanit”.
Sipas zyrtarëve policorë në terren, situata deri më tani ka qenë e qetë dhe e tillë pritet edhe të përfundojë.
Data 28 qershor shënon zhvillimin e Betejës së Kosovës, ku koalicioni i ushtrive të popujve të Ballkanit pësoi humbje nga Perandoria Osmane. Pas kësaj humbjeje, popujt e Ballkanit u pushtuan nga otomanët ose u detyruan të bëhen vasal të sulltanit. Princërit shqiptarë vazhduan të luftojnë e më i shquari ndër ta ishte Skënderbeu. Serbia u bë pjesë e Perandorisë Osmane.
Nuk ka shumë të dhëna për Betejën e Kosovës e madje shumica e këtyre të dhënave janë kontradiktore me njëra tjetrën.
Prandaj, kjo ngjarje sot më shumë dihet për nga mitet rreth saj se nga faktet historike.
Në njërën anë ishin otomanët, ushtria e të cilëve përbëhej edhe nga ushtarë të popujve e princërve vasalë të tyre, përfshirë edhe të krishterë.
Dihet se në betejë është vrarë Princi Llazar, por nuk dihet për rrethanat në të cilat është vrarë. Princi tjetër serb, Vuk Brankoviq, duke parë se beteja nuk mund të fitohej dhe duke ditur se duhej të shpëtonte sa më shumë ushtarë që të mundet, u tërhoq nga beteja. Në tregimet serbe, Brankoviq cilësohet si tradhtar dhe tradhtia e tij si shkas për vdekjen e Princit Lazar.
Në betejë është vrarë edhe Sulltan Murati I, të cilin besohet se e ka vrarë Milosh Obiliqi, një nga heronjt kryesorë në tregimet dhe legjendat për Betejën e Kosovës.
Kjo u dha mundësi zotërinjve shqiptarë që të forcojnë pozitat e tyre. Në këtë kohë dalin në skenë familjet si Balshajt, Dukagjinët e Zahariajt në Shqipërinë e Veriut; Kastriotët, Topiajt, Arianitët, Muzakajt e Gropajt në Shqipërinë Qendrore; Shpatajt, Zenebishët në Shqipërinë e Jugut.
Në këtë kohë, Venediku arriti të merrte qytetet bregdetare, që nga gjiri i Kotorrit, e deri në Artë. Budva, Ulqini, Shkodra, Lezha, Durrësi, Parga, që ishin qendra të rëndësishme tregtare e shkëmbimi me viset e brendshme të vendit u bënë pjesë e asaj që në histori njihet si Arbëria Venedikase.