Forcat turke të sigurisë kryen, të martën, bastisje të gjera në Ankara, duke ndaluar më shumë se 200 persona të dyshuar për lidhje me grupe ekstremiste, përfshirë organizatën “Shteti Islamik” (ISIS).
Këto aksione u zhvilluan në prag të Samitit të NATO-s që mbahet më 7 e 8 korrik në kryeqytetin e Turqisë, e ku pritet të jetë i pranishëm edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Qeveria e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan e ka vendosur sigurinë ndër prioritetet kryesore dhe autoritetet kryejnë rregullisht operacione të tilla. Muajin e kaluar, forcat e sigurisë ndaluan 324 persona të dyshuar për lidhje me “Shtetin Islamik” në një aksion të shtrirë në të gjithë vendin.
Herët të martën, prokurorët turq lëshuan urdhra ndalimi për 241 të dyshuar, ndërsa 209 prej tyre u arrestuan gjatë operacioneve të policisë dhe xhandarmërisë në Ankara, thuhet në një deklaratë të Zyrës së Kryeprokurorit. Bastisjet vazhduan edhe më vonë gjatë ditës për kapjen e të dyshuarve të mbetur.AP raporton se “Shteti Islamik” ka kryer gjithashtu një sërë sulmesh vdekjeprurëse në Turqi, përfshirë sulmin e natës së Vitit të Ri 2017 në një klub nate në Stamboll, ku u vranë 39 persona.