Një deklaratë e dhënë për mediat serbe se kryeministri Albin Kurti kishte vendosur ta zbatonte vendimin për tokat e Manastirit të Deçanit “për hatrin e tij”, doli të ketë qenë “gabim” dhe “ngatërrim i ngjarjeve”. Protagonisti i kësaj deklarate, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq thotë për KosovaPress se ka ngatërruar dy momente të ndryshme, vendimin e fundit të Qeverisë për Manastirin dhe një ngjarje të fillimit të vitit 2023, kur ai kishte ndërhyrë te kryeministri për t'i dhënë leje për vizitë patriarkut serb.
Rashiq, të dielën deklaroi se këmbëngulja e tij çoi në zbatimin e vendimit për bartjen e 24 hektarëve Manastirit të Deçanit, me ç’rast Kurti i kishte thënë se “po e bëj për hatrin tënd”.
Por sot, një gjë të tillë ai e quan “absolutisht të pavërtetë”. Ministri për Kthim tha për KosovaPress se çështja e pronave të Manastirit është shumë më serioze sesa të interpretohet si një favor personal. Sipas tij, një keqinterpretim i tillë vetëm sa dëshmon për polarizimin e thellë politik në Kosovë.
“Më vjen keq që po ka struktura politike që konsiderojnë që ka një qeveri ose kryeministër i cili për hatër të personit jep një tokë ose një pasuri shtetërore në formë ku, qe po ta jap, kjo është absolutisht e pavërtetë dhe besoj që ato sende janë shumë më serioze sesa që të interpretohet nga do struktura politike. Fatkeqësisht, kjo vetëm po na tregon sa është polarizuar partitë politike dhe gjithë spektri politik i Kosovës, sepse mu më kujtohet dhe momente të tjera kur çdo qoftë vendim, çdo bisedë, çdo deklaratë është marrë me një përkushtim dhe me një seriozitet, po jo kështu siç u prezantua”, tha Rashiq.Ai shpjegoi se ngatërresa erdhi si pasojë e kohës së kaluar, kur patriarku serb kishte kërkuar të vizitoj Kosovën dhe kishte kërkuar nga kryeministri Kurti një vizitë pa pengesa.
“Sa i përket kësaj deklarate që e kam bërë unë, fatkeqësisht ka ndodhur që gjatë gati të njëjtën kohë, bash saktë në fillim të 2023-ës, patriarku serb kërkoi një leje për vizitë këtu në Kosovë dhe unë në atë aspekt shkova te kryeministri që të kërkoj një leje të qëndrimit dhe kërkova një vizitë që të shkon pa pengesa.. Kryeministri aprovoi pas një kohe, pasi që kemi biseduar. Është thjesht një ngatërrim të ngjarjeve, nuk ka pasur ndonjë qëllim të keq. Përkundrazi, është për shkak të kohës që kaloi, normale që ndodh nganjëherë që të ngatërrohet ose të harrohet”, tha ai.
“Nuk konsideroj që është diçka kaq tragjike sikur që pretendohet të ishte nga aspekti i shkrimeve në rrjetet sociale. Për keqardhje është ky polarizim kaq ekstrem, ku secili prej vendeve të cilët vendimeve në veçanti, kur për aspektin tim personal, ka qenë shumë në dobi të gjithë popujve, të gjithë komuniteteve në Kosovë dhe në veçanti për të gjithë strukturat e progresit, institucioneve të Kosovës. Dhe që të bëhet një kthesë e tillë, ku ai vendim i bukur u prezantua si i keq, për hatër të një personi, për mua nuk është adekuat”, shtoi ai./A.Shala/