Rrugëtimi heroik prej 1,500 kilometrash në këmbë i boksierit profesionist llapian, Miridon Mulolli, i cili nisi 15 ditë më parë nga qyteti Suhl i Gjermanisë, ka përfunduar zyrtarisht sot në sheshin "Nënë Tereza" në Prishtinë.
Në mesin e qytetarëve dhe familjarëve që kishin dalë për ta pritur Mulollin, i pranishëm ishte edhe ekipi i KosovaPress, i cili zhvilloi intervistat me boksierin dhe babain e tij në momentet e para të mbërritjes, ku u vura në pah suksesi dhe sakrifica e këtij udhëtimi sportiv.
Mulolli: Prej Gjermanisë, Çekisë, Austrisë, Hungarisë e përmes Serbisë, sot në Kosovë
"Ky vrapim ka nis prej Suhl të Gjermanisë, e kam kalu Qekinë, prej Qeksi në Austri e prej Austrisë kemi kalu në Hungari, e prej aty kam kaluar në shtetin e Serbisë, edhe tash jemi në Kosovë. Staza ku kam qenë shumë i rraskapitun ka qenë kur i kam kalu 300 km e para, ka fillu trupi me u lodh i pari edhe tash momentet e fundit perderisa isha ne rrug drejt sheshi. Jam gëzu teper, jam ndi shum krenar, ska fjal që muj me përshkru."I pranishëm në këtë pritje madhështore dhe mjaft emocionale ishte edhe babai i boksierit, Ilmi Mulolli. Ai ka rrëfyer për KosovaPress ndjenjat e tij të përziera prindërore dhe momentin kur i biri i tregoi për herë të parë idenë e madhe se do të nisej në këmbë nga Gjermania për në shtëpi:
"Shumë i kënaqur jam, kam shumë emocione, nuk di si të shprehem qaq mirë që ndihem, nuk ja kam prish hiq, as si kam thënë po as jo, më ka thënë: 'Babë po du me ardh në këmbë'. Mu dok si shaka në fillim, thash ani biri im ti e din, e di që ka pas shumë dëshirë me ardhe."