Shtimes i shtohet një çerdhe, Çeku: Do të intensifikojmë investimet në infrastrukturën arsimore
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Shtimes i shtohet një çerdhe, Çeku: Do të intensifikojmë investimet në infrastrukturën arsimore
ceku
19/03/2026 - 15:20
Linku u kopjua

Komunës së Shtimes po i shtohet edhe një çerdhe. Në fshatin Carralevë, në ambientet e shkollës “Abdullah Shabani”, është bërë inaugurimi i fillimit të punimeve për ndërtimin e një çerdheje të re, e cila do të jetë e gjashta në Komunën e Shtimes.

Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, si dhe ish-ministrja e Arsimit dhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Sipas kryetarit Aliu, çerdhja do të funksionalizohet përmes adaptimit të një pjese të objektit ekzistues të shkolles, duke shfrytëzuar hapesirat e lira për të kursyer buxhetin dhe për të rritur efikasitetin e investimit. Projekti kap vlerën rreth 176 mijë euro dhe parashihet të ketë kapacitet për 40 fëmijë, ndër të tjera do të punësohen shtatë punonjës edukativ.

“Jemi këtu në fillimin e punimeve të, siç e thashë, çerdhes në fshatin Carralevë, një çerdhe rreth që do të bëhet adaptim në shkollën aktuale, në objektin e kësaj shkolle sepse ka hapësira të mjaftueshme për ta kursyer buxhetin edhe për të qenë sa më efikas. Ne e kemi gjetur hapësirën për ta adaptuar çerdhen. Eshte një vlerë diku rreth 176 mijë euro që do të investohet në këtë çerdhe po edhe në rrethojat e çerdhes së fshatit Muzeqinë.  Do të jetë kapaciteti për 40 fëmijë. Do të punësohen shtatë punonjës këtu, edukatorë dhe ndihmës-edukatorë. Dhe më në fund edhe fshati Carralevë, bashkë me fshatin Belincë edhe fshatin Pjetërshticë e një pjesë e fshatit Zborc, do ta kenë të zgjidhur çështjen e edukimit të sistemit parashkollor”, tha Aliu.

Aliu shtoi se kjo çerdhe është pjesë e përmbushjes së premtimit për ndertimin e gjashtë çerdheve në të gjithë territorin e komunës, duke përfshirë dy në qytet dhe katër në zonat rurale.

Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, vlerësoi këtë investim si të rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve dhe për përmiresimin e infrastruktures arsimore.

“Sot jam ketu bashkë me ish-ministren, deputeten Arbërie Nagavci, si dëshmi e vazhdimit të përkushtimit institucional dhe politik të qeverisë për t’i çuar tutje hapat e rëndësishëm për modernizimin e infrastruktures në kuadër të reformës së përgjithshme për cilësi në arsim. Në këtë kuptim, punët e mira vazhdojnë, ato do të intensifikohen dhe do të vijmë sërish bashkë, por sot jemi për këtë rast. Uroj që punimet vazhdojnë sipas dinamikës, të kryhen sa më shpejt dhe fëmijët e kësaj zone, të fshatrave, ta gëzojnë këtë vepër të re dhe këto kushte të mira të mësimit”, u shpreh Çeku.

Ndërkaq ish-ministrja Arbërie Nagavci theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe prioritetin që i është dhënë edukimit të hershëm në nivel qendror dhe lokal.

“Ajo që ka qenë prioritet në qeverinë Kurti II po vazhdon tani me të njëjtin intensitet edhe në qeverinë Kurti III. Ministri Çeku, gjithë kabineti qeveritar dhe Kryeministri Kurti vazhdojnë të kenë prioritet krijimin e hapësirave të reja dhe mundësive për fëmijët tanë dhe në rastet sikurse Komuna e Shtimes ku kryetari ka qenë shumë proaktiv, por edhe Komuna e Podujevës dhe komuna të tjera ku kryetaret kanë qenë proaktivë dhe bashkëpunues, do të realizohet plotësisht synimi ynë që të gjithë fëmijët të përfshihen në edukimin e hershëm”, tha Nagavci.

Objekti i çerdhes do të ketë gjithsej 490 metra katror hapesirë, ku do të organizohen tre klasa për fëmijët e moshes parashkollore, duke krijuar kushte më të përshtatshme për edukim dhe zhvillim të hershëm. Sipas planifikimeve, punimet pritet të përfundojnë më 30 dhjetor të këtij viti.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026