Ministria e Ekonomisë përmes Projektit të Kosovës për Ekonomi Digjitale (KODE) organizoi sot në Shtime aktivitetin “Shkolla e 100-të” e lidhjes së 100 shkollave me infrastrukturë moderne telekomunikuese dhe mbulueshmëri të rrjetit në të gjithë objektin e shkollës.
Në këtë aktivitet në Shkollën e Mesme Profesionale, kryetari i Shtimes Qemajl Aliu tha se projekti KODE mundëson zhvillim të infrastrukturës digjitale ku të rinjtë do të arrijnë suksese sa më të larta.
Me ministret Artane Rizvanolli e Arbërie Nagavci, deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe me pjesëmarrjen e përfaqësueses nga Banka Botërore Imnadze, sot pata kënaqësinë të jem nikoqir i lansimit të internetit të qëndrueshëm dhe të kontrolluar në shkollën e 100-të, që është Institucioni i Arsimit të Aftësimit Profesional - IAAP. Projekti KODE që me sukses po implementohet gjithandej Kosovës, po mundëson zhvillim me ritme të shpejta të infrastrukturës digjitale ku të rinjtë tanë po arrijnë suksese gjithnjë e më të larta. Falënderoj ministritë e linjave për investimin dhe jemi të lumtur që Komunës sonë e rinisë të gjithë Kosovës po i kushtohet vëmendja e merituar për ndërtim të kapaciteteve në funksion të avancimit të aftësive dhe talentit që posedojnë në fushën digjitale e teknologjike.
Ndryshe, sipas raportit “Emerging Europe”, raport i konkurrueshmërisë i 23 vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, përshirë vende si Estonia të cilat janë lidere të IT-së, Kosova renditet e para në rajon për konkurrueshmëri. Sa i përket infrastrukturës në sektorin e TIK-ut, qasjes në internet, vitin e kaluar Kosova ka arritur 100% mbulueshmëri të vendbanimeve me internet të shpejtësisë së lartë, duke hyrë në top tetë shtetet evropiane, krahas Zvicrës e vendeve nordike. Ndryshe, deri në fund të vitit 2024, në rrjetin e internetit do të lidhen edhe 114 shkolla të Kosovës.