Federata Aeronautike e Kosovës ka ndarë çmimet dhe mirënjohjet vjetore për laureatët e vitit 2025, ku Klubi Aeronautik “Shqiponjat e Kastriotit” ishte fituesi absolut i ceremonisë, duke rrëmbyer pothuajse të gjitha vlerësimet kryesore për sportistët, trajnerët dhe klubin më të suksesshëm.
Klubi “Shqiponjat e Kastriotit” u shpall klubi më i mirë, ndërsa Lisjeta Taqi u vlerësua si sportistja më e mirë e vitit. Sipas klubit, ajo aktualisht mban vendin e parë në renditjen botërore në disiplinën “Accuracy” (precizitet në ulje). Çmimi për sportistin më të mirë iu nda Fanol Shalës, i cili renditet i treti në botë në të njëjtën disiplinë dhe prej vitesh përfaqëson Kosovën në garat ndërkombëtare.
Gjatë ceremonisë u vu në pah edhe kontributi i Fanol Shalës si trajner, duke u vlerësuar roli i tij në zhvillimin e sportit aeronautik në Kosovë dhe në formimin e sportistëve që kanë arritur rezultate në arenën evropiane dhe botërore. Sipas klubit, nën drejtimin e tij janë arritur rekorde kombëtare, evropiane dhe botërore, ndërsa është ndërtuar një sistem pune që ka prodhuar një brez pilotësh të suksesshëm.
Nga Klubi Aeronautik “Shqiponjat e Kastriotit” u tha se çmimet e fituara janë rezultat i punës shumëvjeçare, përkushtimit dhe bashkëpunimit të të gjithë anëtarëve të klubit, duke theksuar se këto vlerësime i motivojnë për të vazhduar zhvillimin e sportit aeronautik dhe përfaqësimin e Kosovës në garat ndërkombëtare.