Shqipëria rekord edhe në vjeshtë, 9 milionë vizitorë të huaj deri në tetor
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Qeverinë e Shqipërisë, Mirela Kumbaro publikoi sot të dhënat e turizmit për muajin tetor, ndërsa vuri në dukje se Shqipëria është përrallë edhe në vjeshtë.

Flukset hyrëse të turistëve të huaj në Shqipëri vazhdojnë të jenë në trende rritëse edhe gjatë vjeshtës. Gjatë muajit tetor, 691 mijë turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë, ose 89% më shumë krahasuar me tetorin e vitit që shkoi.

Në total, nga janari deri në tetor 8,98 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë, duke tejkaluar me 32% shifrat e vitit 2022 që është dhe viti rekord i hyrjeve të vizitorëve të huaj, siç bën të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Në aktivitetin e mbajtur për bilancet e sezonit turistik në fillim të muajit që shkoi, ministrja Kumbaro konfirmoi rezervimet deri në 70-80% të kapaciteteve hoteliere. Po nga ky takim, ministrja Kumbaro u shpreh se ky meriton të quhet një vit turistik, sepse përveç bregdetit, Tirana është kthyer në një destiancion të mirëfilltë turistik, “një lloj laboratori arkitekturor modern, por edhe plot energji rinore, sportive dhe kulturore” pa lënë pas turizmin malor, agroturizmin dhe qytetet historike.

Në publikimin e fundit të Organizatës Botërore të Turizmit (UNËTO) të barometrit të turizmit botëror, Shqipëria renditet në vendin e tretë në botë dhe të parin në Evropë për rritjen e flukseve të vizitorëve të huaj (+56%) për muajt janar-korrik 2023.

Edhe gjiganti i udhëtimeve “National Geographic” e ka renditur Shqipërinë ndër vendet 30 vendet e botës që duhen vizituar në vitin 2024.

“Kartolinat promovuese të mediave ndërkombëtare  dhe gjuhët e botës që dëgjon në çdo qytet, konfirmohen edhe shifrat zyrtare që tregojnë se këtë tetor na kanë vizituar 89% më shumë turistë të huaj se 1 vit më parë”, u shpreh Kumbaro në rrjetet sociale.

Vendi njohu këtë vit bum turistik, ndërsa u promovua gjerësisht në median ndërkombëtare si destinacion që ia vlen ta vizitosh për bukuritë natyrore, mikpritjen dhe kostot e arsyeshme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024