Shqipëria është bërë gati që të tejkalojë shifrën e gjashtë milionë turistëve gjatë këtij viti. Përveç në bregdet, tashmë janë hapur mbi 260 bujtina për mysafirë në sektorin e agroturizmit. Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro në intervistën për KosovaPress, thotë se qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat që çmimet të jenë të arsyeshme. Megjithatë, ajo thekson se mysafirët duhet që të shtrihen në gjithë territorin e Shqipërisë, me qëllim që të mos krijohen përqëndrime.
Qershori, korriku e gushti janë muajt ku bregdeti mbushet plot me pushues nga Kosova dhe mbarë bota. Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro fton mysafirët shqiptarët që ditët e pushimit t’i ndajnë mes detit, malit, sporteve natyrore e tureve të organizuara në shtigjet e Shqipërisë.
Sezoni është hapur që në muajin mars kur kanë nisur grupet turistike në mënyrë të organizuar të vizitojnë shumë vende në Shqipëri. Kumbaro shton se duhet të ketë koordinim të paketave mes të dyja vendeve, që turistët nga e gjithë bota të qëndrojnë më gjatë në trevat shqiptare.
Ajo thekson se pritjet janë që Shqipëria të tejkalojë shifrën e gjashtë milionë turistëve brenda këtij viti.
Ajo zotohet që kanë marrë masa për parandalimin e rritjes së çmimeve, megjithatë nuk përjashton rastet e tilla në disa zona.
“Qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat që çmimet të ruhen në nivele të arsyeshme, por duke pasur parasysh që jemi në një vit që ka një rritje të çmimit të energjisë dhe karburantit në nivel global. Ajo që ne kemi bërë është që për të gjithë familjarët dhe biznesin e vogël, ku futen restorantet e hotelet nuk ndryshon çmimi i energjisë. Ato do të subvencionohen nga shteti, ndonëse çmimi në nivel global është rritur për dhjetë herë. Ftoj që turistët të shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe të krijohen sa më pak përqëndrime, sepse ajo bën që kërkesë-oferta të shkojë drejt rritjes së çmimeve”, përfundon ministrja e Turizmit në Shqipëri.
Ajo përmend edhe festivalin “Onum”, në Shëngjin, i cili do të fillojë më datën 1 të muajit të ardhshëm, ku deklaron se presin më shumë se 15 mijë mysafirë nga e gjithë bota.