Shqipëria mbyll tre kapituj të rinj të negociatave me BE-në, Rama: Gur kilometrik për anëtarësimin
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Shqipëria mbyll tre kapituj të rinj të negociatave me BE-në, Rama: Gur kilometrik për anëtarësimin
Rama21
14/07/2026 - 20:38
Linku u kopjua

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mbyllja e tri kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian shënon një “gur tjetër kilometrik” në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Në fjalën e tij pas Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, Rama theksoi se ky hap përfaqëson një vlerësim të qartë të progresit të vendit tonë në procesin e integrimit evropian.

Sipas kryeministrit, në konferencën e sotme u ra dakord për të mbyllur tri kapituj të rëndësishëm negociatorë: Kapitulli 25 – Kërkimi Shkencor, Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitulli 31 – Marrëdhëniet me Jashtë.

“Ajo çfarë ndodhi shënon një gur tjetër kilometrik të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Siç u tha, u ra dakord për të mbyllur tri kapituj të rëndësishëm negociatorë dhe ky nuk është thjesht një hap në këtë proces të gjatë, por një vlerësim i qartë që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate dhe që vendi ynë është gjithmonë më tepër i përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit.”

Rama e cilësoi këtë moment si dëshmi të një “epoke të re” në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku të dyja palët japin rezultate konkrete.

“Sot e sotmja është e rëndësishme edhe sepse thekson një mesazh të fuqishëm të ashtuquajturës epokë e re. Shqipëria jep rezultate, Bashkimi Evropian jep rezultate. Shqipëria ecën përpara dhe Bashkimi Evropian reagon dhe ky është thelbi i procesit. Proces i bazuar në meritë”, – theksoi ai.

Në përgjigje të pyetjeve për kapitujt e tjerë të negociatave, pas mbylljes së tri kapitujve të rinj (25, 26 dhe 31) në Konferencën e IX Ndërqeveritare Shqipëri–BE, Rama deklaroi se “ajo që është e rëndësishme është se deri tani jemi në drejtimin e duhur me kalendarin tejet ambicioz për të cilin është rënë dakord me Komisionin. Falë detyrave të pareshtura të shtëpisë që kemi bërë deri tani, kalendari bëhet akoma më shumë ambicioz dhe ne duhet të punojmë pareshtur. Nëse atmosfera do të jetë kjo që kemi përjetuar deri tani, do të bëjmë çdo detyrë shtëpie që na është caktuar.”

Kryeministri u shpreh se në takimin e Koalicionit të të Vullnetshmëve u konstatua një qasje pozitive nga të gjitha vendet që janë në negociata aktive, duke nënvizuar dëshirën e përbashkët për të ecur përpara.

“Jam shumë optimist. Presidenca irlandeze na jep komfort sepse Irlanda ka dëshmuar se progresi është i mundshëm, dhe se irlandezët nuk pranojnë asgjë tjetër veç ekselencës. Ne ju besojmë miqve tanë irlandezë. Deri tani gjithçka është mirë”, – tha Rama.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026