Shqipëri, Kushtetuesja pezullon ratifikimin e marrëveshjes për emigrantët me Italinë
Lexohet për: 4 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi pezullimin e ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së emigrantëve me Italinë.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, u vendos pezullimi automatikisht i procedurave të ratifikimit në Kuvend të protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të saj. Mbledhja e gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet më datën 18 janar 2024, ora 10:00.

Më datën 6 dhjetor 2023, 30 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë së Protokollit të nënshkruar midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit ne fushën e migracionit”. Kjo kërkesë është paraqitur para ratifikimit të këtij Protokolli, bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës. Grupi i deputetëve ka ngritur pretendime se nuk është respektuar procedura e negocimit dhe e nënshkrimit, pasi Protokolli i bashkëpunimit bën pjesë në ato kategori marrëveshjesh që kërkojnë autorizimin e Presidentit, pasi prek çështje të territorit dhe të të drejtave themelore, sipas nenit 121, pika 1, shkronjat “a” dhe “b”, të Kushtetutës.

Po ashtu, ata kanë paraqitur edhe tre kërkesa të njëjta për pezullimin e procedurave parlamentare për ratifikimin, mbi shkakun se shqyrtimi dhe votimi i Protokollit është planifikuar nga Kuvendi për seancën plenare të datës 14 dhjetor 2023. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen, vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në mbledhjen e gjyqtarëve.

“Mbledhja e gjyqtarëve, sot, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh. Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Duke mbajtur parasysh parashikimin e së njëjtës dispozitë ligjore (neni 52, pika 3), që kërkon përfundimin e shqyrtimit të çështjes brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, mbledhja e gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet në datën 18 janar 2024, ora 10:00″, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Kujtojmë se ky projektligj u ankimua në Kushtetuese nga dy grupimet, ajo e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe e Lulzim Bashës.

Më 6 nëntor kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane, Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.

Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj.

Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori. Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci. Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare. Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët.

Kohëzgjatja e marrëveshjes do të jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll.

Më 21 nëntor, Dhoma e Përfaqësuesve në Parlamentin Italian miratoi me 189 vota pro dhe 126 kundër rezolutën e mazhorancës italiane, pavarësisht kritikave të opozitës. /tch

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024