Pasi vullkani i Islandës shpërtheu për herë të katërt në tre muaj dje, ekipet e emergjencës punuan gjatë natës për të përforcuar barrierat mbrojtëse rreth qytetit të evakuuar të peshkimit të Grindavik, ndërsa llava rrodhi sërish drejt tij.
Pas javësh paralajmërimesh se shkëmbinjtë gjysmë të shkrirë po grumbulloheshin nën tokë, Zyra Meteorologjike Islandeze (IMO) tha se shpërthimi, në orën 20:23 me kohën lokale të së shtunës, hapi një çarje gati tri km të gjatë në tokë midis dy maleve, raporton Guardian.
Nga mesdita e sotme, shkencëtarët thanë se flukset po ngadalësoheshin disi, por ende përbënin rrezik për infrastrukturën brenda dhe përreth Grindavik. "Aktiviteti sizmik është ulur që nga fillimi i shpërthimit," tha Pálmi Erlendsson nga IMO.
Një tjetër ekspert i IMO-s, Einar Hjorleifsson, tha se barrierat rreth qytetit dukej se kishin mbajtur dhe devijuar rrjedhat larg instalimeve kryesore, por se një rrjedhë e veçantë drejt centralit gjeotermik ende përbënte një rrezik.
Vendi i shpërthimit është disa kilometra në verilindje të Grindavik, rreth 48 km në jugperëndim të kryeqytetit të Islandës, Reykjavik. Para shpërthimit të parë në dhjetor, 3800 banorë të qytetit u evakuuan dhe që atëherë mezi 100 prej tyre janë kthyer.
Qindra njerëz u evakuuan nga banja termale e afërt Blue Lagoon, një nga atraksionet turistike më të njohura të Islandës, raportoi mediumi islandez RÚV, pasi pamjet treguan tym të fryrë dhe magmë të kuqe-portokalli që shpërthen nga toka.
"Ata pak banorë që janë kthyer në shtëpitë e tyre në Grindavik që nga shpërthimi i fundit në shkurt, i cili ndërpreu ngrohjen për më shumë se 20,000 njerëz pasi lava shkatërroi rrugët dhe tubacionet, janë evakuuar në mënyrë të sigurt," thanë zyrtarët.
Qyteti u evakuua fillimisht nëntorin e kaluar kur sistemi vullkanik Svartsengi u zgjua pas gati 800 vjetësh me një seri tërmetesh që hapën çarje të mëdha në tokë në veri të qytetit, duke shpërthyer përfundimisht më 18 dhjetor.
Asnjë nga shpërthimet e fundit të Reykjanes nuk preku fluturimet e brendshme apo ndërkombëtare nga aeroportet e Islandës. Islanda ndodhet në një pikë të nxehtë vullkanike në Atlantikun e Veriut dhe është shtëpia e 33 sistemeve vullkanike aktive. Autoritetet kanë përvojë të gjerë në trajtimin e shpërthimeve të shpeshta.
Ngjarja më shkatërruese e fundit ishte shpërthimi i vullkanit Eyjafjallajokull në vitin 2010, i cili çoi në mbylljen e gjerë të hapësirës ajrore mbi Evropë.