Shpallja e aktgjykimit për rastin “Banjska” do të bëhet më 24 prill, në ora 15:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ky vendim është bërë i ditur gjatë seancës ku janë paraqitur fjalët përfundimtare të mbrojtjes së të akuzuarve, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.
Përveç Dushan Maksimoviqit, të akuzuarit tjerë në këtë rast kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në seancën e shpalljes së aktgjykimit.
“Dushan Maksimoviq në ditën kritike nuk ka qenë në Banjskë. Nuk ka marrë pjesë në ngjarjen e cila ka ndodhur, në kryengritjen e armatosur, në veprat terroriste, në çka do që ka lidhje me këtë aktakuzë. Dushan ka qenë së bashku me shoktë e tij, ashtu sic disa herë e ka përshkruar. Dhe në këto rrethana, në plotëni ka alibi. Alibi kanë dashur t’i japin edhe shoktë e tij të cilët kanë qenë së bashku me të. Pra, shokët e tij kanë qenë të propozuar që të jenë dëshmitarë qysh nga qershori 2025, 9 korriku pra”, tha ajo.
Në gjykatore sot janë paraqitur edhe fjalët përmbyllëse të dy të akuzuarve të tjerë dhe mbrojtësve të tyre.
Sipas aktakuzës, ata kanë kryer veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpërlarje të parasë.
Javën e kaluar është arrestuar Stefan Raduloviq, i dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë. /Sh.Pajaziti