Shoqata e Gjyqtarëve reagon ashpër ndaj klubeve
Vendor
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Shoqata e Gjyqtarëve reagon ashpër ndaj klubeve
New Project (72)
25/05/2026 - 16:11
Linku u kopjua

Shoqata e Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të shpeshta dhe akuzave të klubeve gjatë këtij sezoni, duke i cilësuar ato si presione të papranueshme që e dëmtojnë rëndë frymën e "fair-play"-it.

Përmes një komunikate nga Federata e Futbollit të Kosovës, shoqata ua bëri të qartë klubeve se pakënaqësitë nuk mund të shndërrohen në mjete denigrimi publik.

"Deklaratat që përmbajnë insinuata, gjuhë denigruese apo elemente të qarta presioni ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme, të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me frymën sportive."

Në deklaratën theksohet se gjyqtarët janë autoritet i pavarur në fushë dhe performanca e tyre vlerësohet vetëm nga komisionet kompetente të FFK-së, e jo përmes presioneve në media.

"Çdo tentativë për të ushtruar presion publik mbi vendimmarrjen apo integritetin e gjyqtarëve është e papranueshme", deklaroi shoqata.

"Do të ndiqen rrugët ligjore"

Shoqata ka paralajmëruar se të gjitha deklaratat fyese dhe jo-sportive do të dërgohen menjëherë në organet disiplinore të FFK-së për trajtim sipas rregulloreve në fuqi.

"Njoftojmë se deklaratat denigruese, fyese dhe jo sportive do t’i adresojmë në organet kompetente të FFK-së për trajtim sipas procedurave."

Ky reagim i Shoqatës së Gjyqtarëve vjen pas një vikendi kaotik në futbollin kosovar. Ndeshjet e djeshme në Superligë u shoqëruan me polemika të shumta rreth vendimeve të referëve, ndërsa kulmi u arrit në finalen e Kupës së Kosovës mes Ferizajt dhe Dukagjinit, ku skuadra e Ferizajt e lëshoi fushën në shenjë proteste ndaj gjykimit. Këto ngjarje dëshmojnë se marrëdhëniet mes klubeve dhe gjyqtarëve kanë prekur pikën më të ulët, duke krijuar një krizë të rëndë që kërkon ndërhyrje urgjente nga FFK-ja.

KosovaPres

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026