Një shofer në Mbretërinë e Bashkuar është gjobitur pasi u filmua duke drejtuar automjetin me një portë futbolli të vendosur mbi makinë në mënyrë të pasigurt. Rasti ndodhi në Borehamwood të Hertfordshire, ndërsa pamjet u publikuan nga Hertfordshire Police në rrjetet sociale, raporton “SkyNews”
Në videon e publikuar, automjeti shihet duke dalë nga një kryqëzim me portën e montuar plotësisht mbi çati, ndërsa policia e ndalon menjëherë më pas. Autoritetet thanë se korniza nuk ishte siguruar siç duhet dhe mund të kishte shkaktuar aksident serioz në rrugë.
Sipas policisë, shoferit iu hoqën tre pikë nga patentë-shoferi, ndërsa u urdhërua të paguante një gjobë prej 120 paundësh, si dhe 48 paundë shtesë. Autoritetet thanë se incidenti kishte ndodhur më 12 maj të vitit të kaluar, ndërsa shoferi ishte paraqitur së fundmi në gjykatë ku u shqiptua dënimi.
KosovaPress