Numri i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë më herët gjatë këtij muaji ka kaluar shifrën prej 50 mijë.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga të dy shtetet, tërmetet e 6 shkurtit, prej 7.8 dhe 7.5 ballësh, kanë marrë jetën e 44 mijë e 218 personave në Turqi dhe të 5 mijë e 900 personave në Siri.
Disa vende në rajon, duke përfshirë Sirinë dhe Libanin, gjithashtu ndjenë dridhjet e forta që goditën Turqinë në më pak se 10 orë.
Më shumë se 11 mijë e 400 personel vendas dhe ndërkombëtar të kërkimit dhe shpëtimit janë duke punuar aktualisht në terren, përcjell KosovaPress.
Mbi 160 mijë ndërtesa me 520 mijë apartamente janë shembur ose janë dëmtuar rëndë nga tërmetet e 6 shkurtit.
Turqia më 24 shkurt po ashtu bëri të ditur se ka nisur punën fillestare për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga tërmetet, teksa Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), vlerësoi se 1.5 milionë persona kanë mbetur të pastrehë.