Shkarkohet kryesuesi Fehmi Kupina, LDK dhe PDK rikthejnë pushtetin në ndërmarrje
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Me 27 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Prishtinës ka shkarkuar kryesuesin e Kryeqytetit, Fehmi Kupinën.

Po ashtu partitë që udhëheqin me Prishtinën, LDK dhe PDK kanë rikthyer sërish pushtetin në ndërmarrjet publike në kryeqytet.  

https://kosovapress.com/admin/opozita-shkarkon-aksionaret-e-ndermarrjeve-publike-ne-kryeqytet-dhe-emeron-anetaret-e-rinj/

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, me 27 vota për gjithashtu u anulua vendimi i datës 8 qershor për shkarkimin e aksionarëve të ndërmarrjeve publike në Prishtinë.

Këto vendime në Prishtinë u morën pasi braktisen seancënkryesuesi dhe asamblistët e Vetëvendosjes.  

Fillimisht asamblistët e Vetëvendosjes me zhurmë nuk e lejuan kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama të merr fjalën.

Kryetari Rama duke kërkuar qetësinë e këshilltarëve të Vetëvendosjes, pati një kërkesë tallëse me ta.

“S’po doni me dëgjua a? Mbani madje ndonjë ritëm më të mirë, qysh ja keni nisë ju me kërcye, luani Shotën a naj sen tjetër a… Unë po vazhdoj po bërtas”, theksoi Rama.

Megjithatë, para se të shkarkohej, kryesuesi Fehmi Kupina e shpalli të mbyllur seancën, duke thënë se nuk ka kushte për punë.

Por, kryetari i Prishtinës, Rama dhe asamblistët e partisë së tij vazhduan punën duke theksuar se ka kushte për punë.

Pasi braktisën seancën kryesuesi, Fehmi Kupina me asamblistët e Vetëvendosjes, seancën e udhëhoqi asamblisti më i vjetër Ajet Brajshori nga radhët e LDK-së.

Ndërkohë, u fut në rend dite propozimi Jeta Rafunës nga LDK-ja për shkarkimin e kryesuesit Fehmi Kupina.

27 këshilltarë komunal me vota të fshehta votuan për shkarkimin e Kupinës nga pozita e kryesuesit.

Asamblisti nga LDK-ja, Sami Salihu në emër të  Komisionit për Mbarëvajtjen e procesit të votimit konstatoi shkarkimin e kryesuesit, Kupina.

Pas këtij vendimi, në mbledhjen e Kuvendit të Kryeqytetit, me 27 vota për është miratuar propozim vendimi për anulimin e vendimit të datës 08.06.2023 për shkarkimin e anëtarëve në Komisionet e aksionarëve të ndërmarrjeve publike të Komunës së Prishtinës.

Këtë votim e konstatoi asamblisti më i vjetër, Ajet Brajshori, i cili e udhëhoqi seancën.

Po ashtu me 27 vota për është marrë vendim për caktimin e anëtarëve të Komisionit të Aksionarëve të ndërmarrjeve publike të Prishtinës.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Ndryshe, në mbledhjen e Kuvendit të Kryeqytetit më 8 qershor, Fehmi Kupina kishte dhënë dorëheqje nga LDK-ja në Prishtinë. /KosovaPress.

https://kosovapress.com/admin/kryesuesi-i-kuvendit-te-prishtines-jep-doreheqje-nga-ldk-ja/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024