Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka deklaruar se deri në këtë moment nuk ka pasur asnjë dorëzim të nënshkrimeve në selinë e partisë për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
Ferati ka thënë se raportimet për një iniciativë të tillë nuk janë të bazuara në ndonjë informacion zyrtar, duke i cilësuar ato si supozime.
KosovaPress javën e kaluar ka raportuar ekskluzivisht se kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, po e udhëheq këtë proces, duke vizituar degët e LDK-së në nivel vendi për të kërkuar nënshkrimet e delegatëve për votëbesimin ndaj Abdixhikut.
Kërkesa për shkarkimin e Abdixhikut po vjen pas pakënaqësive brenda kësaj partie për rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit.LDK-ja në këto zgjedhje ka pasur vetëm 16.69 për qind, apo 18 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Sipas statutit të LDK-së, nënshkrimet e një të tretës së anëtarëve të kuvendit nuk e shkarkojnë automatikisht kryetarin, por vetëm hapin rrugën për ngritjen formale të çështjes së votëbesimit.