Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e vlerëson si profesional aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me rrëzimin e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit si dhe afatin 34 ditor shtesë për zgjedhjen e presidentit.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare në një intervistë për KosovaPress, thekson se, ndonëse arsyetimi juridik i vendimit është korrekt, gjuha e përdorur në dispozitiv “reflekton njëfarë hezitimi” të Gjykatës për ta emërtuar drejtpërdrejt situatën si vendim kundërkushtetues të Osmanit, siç thotë për shkak të frikës dhe presionit që i është bërë këtij institucioni.
“Kur një akt juridik nuk prodhon asnjë efekt juridik, atëherë kemi të bëjmë me pavlefshmëri absolute të aktit. Ky është një emërtim tjetër për të thënë se dekreti ka qenë tërësisht kundërkushtetues”, thotë Hasani.
Në këtë kontekst, Hasani konsideron se Vjosa Osmani ka gabuar me vendimin për shpërndarjen e Kuvendit, pasi një kompetencë e tillë, sipas tij, nuk ekziston në asnjë sistem parlamentar evropian si kompetencë autonome e kreut të shtetit.
“Objekt i çështjes nuk ka qenë vlerësimi nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën, por nëse dekreti është kushtetues”, shton Hasani.
Kjo është intervista e plotë:
Hasani: Aktgjykimi është profesional në pjesën arsyetuese, por në dispozitiv ka një gjuhë që, në tërësi, ngjason me dispozitivin e aktgjykimit të parë të vitit të kaluar për konstituimin e Kuvendit. Kjo gjuhë është e qartë për juristët kushtetues, por reflekton njëfarë hezitimi të Gjykatës Kushtetuese për ta emërtuar drejtpërdrejt fenomenin e përshkruar. Nuk i fajësoj aspak, duke marrë parasysh faktin që kanë qenë nën presion vitin e kaluar, aq sa një pjesë e gjyqtarëve kanë qenë edhe të ekspozuar ndaj rrezikut fizik.
KosovaPress: A përbën kjo një praktikë të re kushtetuese apo është brenda kornizës së interpretimit të mëhershëm të Gjykatës?
KosovaPress: Gjykata ka konstatuar se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon efekt juridik. Sa i qëndrueshëm është ky arsyetim në aspektin praktik?
Hasani: Siç e thashë, bëhet fjalë për përshkrimin e një akti juridik si tërësisht kundërkushtues, meqë nuk ka prodhuar asnjë pasojë juridike. Pra, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është tërësisht i pavlefshëm, sikur të mos kishte ekzistuar fare. Kjo është shkalla më e lartë e kundërkushtetutshmërisë dhe përfshin nenet e Kushtetutës të përmendura në paragrafin 4 të aktgjykimit që flet për objektin e çështjes.
Hasani: Sigurisht që Presidentja e Republikës ka gabuar kur ka shpërndarë kuvendin, meqë ka shpërndarë përfaqësuesin e sovranit. Këtë të drejtë nuk e ka askund presidenti i republikës në një sistem parlamentar, dhe këtë e ka thënë qartë Gjykata në pjesën arsyetuese, kur ka dhënë zgjidhjet krahasimore kushtetuese. Njëjtë si në Kosovë, në asnjë kushtetutë të Evropës që ka sistem parlamentar, shefi i shtetit nuk ka kompetencë autonome për shpërndarjen e parlamentit.
Afati për vendosje për atë nëse Presidentja Osmani ka shkelur Kushtetutën është shtatëditor dhe nuk ka lidhje nëse ajo e përfundon mandatin. Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe praktikës standarde në gjyqësinë kushtetuese evropiane, gjykatat kanë të drejtë të vazhdojnë procedurën edhe atëherë kur bie objekti i shqyrtimit, për çfarëdo arsye qoftë. Shkarkimi i Presidentit të Republikës, sipas nenit 91.3 të Kushtetutës, është një çështje krejt tjetër. Me fjalë të tjera, procedura për vlerësimin nëse Presidentja Osmani ka shkelur Kushtetutën e Kosovës është e ndarë nga përfundimi i funksionit të saj, sepse shkarkimi, edhe në rast të një presidenti aktiv, mund të mos ndodhë në Kuvendin e Kosovës, meqë kërkohet shumica prej dy të tretash të deputetëve. Nëse kjo procedurë do të niset, mbetet në vlerësimin e aktorëve politikë. /E. Zeqiri/