Gjykata Kushtetuese e shpallë të pavlefshëm dekretin e presidentes për shpërbërjen e Kuvendit
1-First
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Gjykata Kushtetuese e shpallë të pavlefshëm dekretin e presidentes për shpërbërjen e Kuvendit
Gjykata Kushtetuese1234
25/03/2026 - 17:32
Linku u kopjua

Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm dekretin e presidentes për shpërbërjen e Kuvendit. Vendimi erdhi pas shqyrtimit të ankesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, me arsyetimin se dekreti I presidentes u shpall pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në vendimin e sotëm kushtetuesja u jep deputetëve afat edhe 34 ditë për përfundimin e procedurës dhe e shfuqizon masën e përkohëshme të vendosur më 9 mars.

Komunikata e plotë:

Njoftim për publikimin e aktgjykimit KO72/26 dhe KO74/26

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 25 mars 2026, ka vendosur për kërkesat e bashkuara në rastet KO72/26, të parashtruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe KO74/26, të parashtruar nga znj. Arbërie Nagavci dhe 30 (tridhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 2 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nëpërmjet së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë “së dekretit nr. 24/2026 të datës 06.03.2026, të Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.”

Gjykata, njëzëri, vendosi:

I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;

II. TË KONSTATOJË që Dekreti [nr.24/2026] i 6 marsit 2026 i Presidentes së Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridik;

III. TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës ;

IV. TË KONSTATOJË që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

V. TË KONSTATOJË që Vendimi i Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme, i 9 marsit 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;

VI. TUA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

VII. TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

VIII. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.

https://gjk-ks.org/notifications/details/3407?title=Njoftim+p%C3%ABr+publikimin+e+aktgjykimit+KO72/26+dhe+KO74/26


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026