Prokuroria Speciale e Kosovës ka informuar sot se ka shënjestruar dy raste të reja me 47 persona të përfshirë në vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se në rastin e parë janë të përfshirë 23 persona për veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit’’, “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
“Janë sekuestruar shtatë (7) banesa dhe tokë bujqësore/ parcele 10,591 m2; Ngrirje të xhirollogarisë bankare me vlerë monetare 186,861.75 euro; Janë sekuestruar katër (4) vetura të markave të ndryshme; Janë sekuestruar pasuri të luajtshme me vlere, si dhe para të sekuestruara kesh.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Rasti i dytë i shënjestruar nga Prokuroria Speciale ka të bëjë me 24 persona të përfshirë në vepra të ndryshme penale si “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë”, “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, “Shmangie nga tatimi” si dhe “Mashtrim në prokurim publik”.