Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar të enjten se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron “ta zhdukë Ukrainën nga harta” dhe mund t’ua mësyjë pjesëve të tjera të Evropës pastaj.
Për këtë arsye, ai u bëri thirrje evropianëve t’u bëjnë trysni qeverive të veta për t’i rritur shpenzimet në mbrojtje.
Putini “po përpiqet ta prishë lirinë dhe mënyrën e jetesës sonë”, tha Rutte.
Gjatë fjalimit të tij, ish-kryeministri i Holandës i përmendi sulmet e Rusisë në Gjeorgji më 2008, aneksimin e gadishullit ukrainas, Krimea, më 2014, si dhe pushtimin e plotë të Ukrainës që nisi para gati tri vjetëve.“Rusia po përgatitet për konfrontim afatgjatë. Me Ukrainën, dhe me ne”, shtoi ai.
Rutte e mbajti fjalimin inaugurues rreth dy muaj pasi e mori detyrën si shef i NATO-së.
Trump ankohet rregullisht se aleatët e SHBA-së në NATO nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.
Putini gjithashtu e ka mbështetjen e aleatëve si Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.
Rutte theksoi se shpenzimet për mbrojtjen janë rritur ndjeshëm në Evropë. Dhe, 23 vende anëtare pritet ta arrijnë cakun e NATO-s për t’i ndarë 2 për qind të GDP-së për buxhetet e tyre ushtarake.
Rutte renditi një varg “veprimesh armiqësore” nga Rusia rishtazi kundër aleatëve të NATO-s, duke përfshirë sulme kibernetike, atentate, një shpërthim në një depo municionesh në Çeki, bllokimin e radarëve në rajonin Baltik për të ndërprerë trafikun ajror, dhe “armatosjen” e imigrantëve për ta destabilizuar Evropën.
“Këto sulme nuk janë thjesht incidente të izoluara. Ato janë rezultat i një fushate të koordinuar për t’i destabilizuar shoqëritë tona dhe për të na dekurajuar nga mbështetja për Ukrainën”, tha ai.
“Me gjithë këtë, mbrojtja jonë është e mirë – tani për tani. Por, ajo që më shqetëson është e nesërmja”, tha ai dhe paralajmëroi se “ne nuk jemi gati për atë që na pret pas katër deri pesë vjetësh. Rreziku po afrohet me shpejtësi të plotë drejt nesh”.
“Ajo që po ndodh në Ukrainë mund të ndodhë edhe këtu, dhe pavarësisht nga rezultati i kësaj lufte, ne nuk do të jemi të sigurt në të ardhmen nëse nuk jemi të përgatitur për ta përballuar rrezikun”, shtoi Rutte.Ai u kërkoi industrive të rrisin prodhimin armëve mbrojtëse kundër dronëve dhe taktikave të tjera të reja luftarake.
Ai shtoi se “liria nuk vjen falas” për rreth 1 miliard njerëz që jetojnë në zonën euro-atlantike./REL/