SHBA propozon që ambasada e saj në Prishtinë të marrë emrin e Eliot Engel
Kosovë
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
SHBA propozon që ambasada e saj në Prishtinë të marrë emrin e Eliot Engel
Një grup dypartiak kongresmenësh amerikanë ka prezantuar një projektligj për ta emëruar ndërtesën kryesore të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë me emrin “Eliot L. Engel Building”, në nder të ish-kongresmenit Eliot Engel dhe kontributit të tij për Kosovën.
Nisma, sic thuhet në një njoftim të kongresmenit Ritchie Torres është iniciuar pikërisht nga ky, së bashku me Gregory Meeks, Michael McCaul dhe Brian Mast – të gjithë ish-udhëheqës të Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.
Familja Engel ka shprehur mirënjohje për këtë iniciativë, duke theksuar se kontributi i tij ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e miliona kosovarëve dhe se emërtimi i ambasadës do të ishte një nderim i merituar për lidhjet e forta mes Kosovës dhe SHBA-së.
Kongresmeni Torres e cilësoi Engel si “hero për shumë njerëz”, duke rikujtuar rolin e tij kyç në mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës dhe angazhimin e tij të gjatë për pavarësinë e vendit.
Ndërkaq, Gregory Meeks vlerësoi Engel si një mbështetës të palëkundur të Kosovës, duke theksuar se angazhimi i tij nga ndërgjegjësimi për krimet deri te përkrahja për ndërhyrjen e NATO-s ka ndihmuar në ndërtimin e marrëdhënieve të forta SHBA–Kosovë.
Edhe Michael McCaul dhe Brian Mast e kanë cilësuar Engel si një lider me integritet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut, duke theksuar se ky projektligj synon të përjetësojë trashëgiminë e tij.
Eliot Engel njihet si një nga zërat më të fuqishëm në Kongresin amerikan në mbështetje të Kosovës për dekada me radhë.