ShBA-ja e vazhdon mbështetjen ndaj Kosovës për avancimin e sistemit prokurorial
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Kosovën në shumë fusha.
Një ndër to është edhe sistemi prokurorial.
Kështu, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka pritur në takim Asistenten Ekzekutive të Zyrës së Prokurorit të Shteteve të Bashkuara për Qarkun Verior të Ilionis, Meghan Morrisey, e cila ishte e shoqëruar nga Këshilltari Rezident Ligjor në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Erin Cox dhe Zyrtari i Lartë Ligjor në OPDAT, Etrur Maloku.
Sipas një njoftimi për media të ZKPSh-së, gjatë këtij takimi, Kelmendi dhe Morrisey kanë diskutuar për menaxhimin dhe performancën në sistemin prokurorial, për përparësitë dhe mangësitë, si dhe për sfidat dhe rekomandimet të cilat synojnë ta avancojnë punën e këtij sistemi.
“Në këtë drejtim, znj. Morrisey do të ndajë përvojat dhe eksperiencën e vet me bartësit e sistemit prokurorial ku do të mbajë një trajnim që ka të bëjë më shkathtësitë në lidershipin”, u tha në këtë njoftim.
Kelmendi ka falënderuar Morrisey për vizitën, “me ç’rast ka vlerësuar lartë ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë për institucionin e Prokurorit të Shtetit në funksion të forcimit të sundimit të ligjit”.