Shaqir Hetemi kërkon mbështetjen e qytetarëve: Veriu duhet ta ketë zërin e vet në Kuvend
Zgjedhjet 2026
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Shaqir Hetemi kërkon mbështetjen e qytetarëve: Veriu duhet ta ketë zërin e vet në Kuvend
30/05/2026 - 13:14
Linku u kopjua
Shaqir Hetemi, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve në mbarë vendin, duke theksuar se synon të jetë zëri i banorëve të veriut të Kosovës në Kuvendin e Republikës.
Hetemi, banor i fshatit Bistricë e Shalës në Komunën e Leposaviqit dhe kryetar i Degës së PDK-së në këtë komunë, tha se jeton dhe vepron në veri dhe se sfidat me të cilat përballen qytetarët e kësaj pjese i njeh nga afër.
Ai theksoi se gjatë viteve të fundit banorët e veriut janë përballur me vështirësi të shumta, duke përmendur mungesën e vendeve të punës, pengesat administrative për përfitimin e granteve në bujqësi, si dhe problemet në sektorët e shëndetësisë, transportit publik, edukimit parashkollor dhe arsimit.
Sipas Hetemit, përkundër deklarimeve se situata në veri është normalizuar, realiteti i përditshëm i qytetarëve mbetet sfidues dhe kërkon adresim institucional.
“Po flitet shumë se veriu është çliruar dhe se jeta është kthyer në normalitet. Mirëpo, askush nuk e njeh më mirë realitetin sesa banorët që jetojnë çdo ditë në këto troje. Pikërisht kjo e vërtetë duhet të dëgjohet në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Hetemi tha se votat e qytetarëve të veriut nuk janë të mjaftueshme për të siguruar një ulëse në Kuvend, prandaj u ka bërë thirrje votuesve të PDK-së në të gjitha komunat e Kosovës që ta mbështesin kandidaturën e tij.
Ai ka theksuar se, nëse zgjidhet deputet, do të angazhohet për të përfaqësuar interesat e qytetarëve të veriut dhe për të ngritur në institucionet qendrore problemet me të cilat përballen ata.
“Do të jem zëri i qytetarëve, një përfaqësues i drejtpërdrejtë nga terreni, që i njeh sfidat dhe nevojat e kësaj pjese të vendit”, ka thënë Hetemi.
Në zgjedhjet e ardhshme, ai garon me numrin 106 në listën e Partisë Demokratike të Kosovës.
Screenshot