Sfidat e futbollit të femrave: Mungesa e shikueshmërisë dhe mbështetja e pamjaftueshme
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Sfidat e futbollit të femrave: Mungesa e shikueshmërisë dhe mbështetja e pamjaftueshme
17/05/2026 - 15:22
Linku u kopjua
Triumfi i KFF Dukagjinit kundër KFF Prishtinës në Kupën e Kosovës ka nxjerrë në pah jo vetëm suksesin në fushë, por edhe sfidat që përcjellin futbollin e femrave në vend.
Me gjithë progresin, fituesit theksojnë se mbetet ende punë për të arritur nivelin e vlerësimit që gëzon futbolli i meshkujve. Sipas tyre, ndonëse Federata po bën maksimumin, mungesa e shikueshmërisë mbetet një barrierë e dukshme.
Futbollistet dhe trajnerja e klubit kanë ndarë mendimet e tyre rreth rritjes së këtij sporti dhe vështirësive që hasin.
Në një prononcim për KosovaPress, kapitenia e skuadrës, Xhenifer Pjetri, u shpreh se mbështetjen më të madhe e ndiejnë nga familjarët.
“Kemi pasur më shumë familjarë dhe ata janë lojtari i 12-të, të cilët na përkrahin. Futbolli i femrave është pak më mbrapa se ai i meshkujve, por ngadalë ka nisur të ecë përpara”.
Trajnerja e skuadrës fitimtare, Blerta Kaqiu, ka vënë në dukje barrierat specifike të këtij profesioni:
"Normalisht që futbolli i femrave ka më shumë barriera se ai i meshkujve. Femrat nga natyra janë pak më të ndieshme, duhet të dinit se si t’u qaseni në situata të ndryshme".
"Mendoj që Federata bën maksimumin për të na dhënë mbështetje, por problemi është që tifozët nuk e vlerësojnë sa duhet futbollin e femrave".
Pas një finaleje dramatike të shoqëruar me rivalitet të lartë dhe emocione deri në sekondat e fundit, KFF Dukagjini arriti të triumfojë ndaj KFF Prishtinës pas ekzekutimit të penalltive. Edhe pse 120 minutat e lojës u mbyllën me barazim 1:1, me golat e Olsa Kuçit për klinaset dhe Rreze Gashit për kryeqytetaset, vajzat e Dukagjinit u treguan më të sakta nga pika e bardhë, duke siguruar kështu trofeun e Kupës së Kosovës.