Kosova duhet të largojë masën e sigurisë ndaj mallrave serbe, thonë njohësit e ekonomisë. Sipas tyre, kryeministri Albin Kurti duhet të dëgjojë kërkesën gjermane për zhbllokimin e vendimmarrjes së CEFTA-s dhe bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Të njëjtit nënvizojnë se Kosova duhet të jetë akterë në iniciativat rajonale, e jo të izolohet dhe të krijojë probleme në këtë drejtim. Krahas kësaj vihet në pah edhe rreziku që ekonomia e Kosovës të izolohet nga vendet e rajonit, siç thonë duke i vendosur taksë nga shtetet fqinje. Ndërsa, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë sqarime për KosovaPress lidhur me këtë çështje.
Ish-ministri i Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Ismet Mulaj, thotë për KosovaPress se ekzekutivi duhet të gjejë modalitete dhe në koordinim me Gjermaninë të tejkalohet kjo situatë.Ai shton se në bazë të garancive gjermane, Kosova do të përfaqësohet me asterisk në CEFTA pa UNMIK-un.
Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thekson se përjashtimi i Kosovës nga organizata rajonale CEFTA çon në humbje të madhe për vendin në çdo aspekt.Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa akuzon qeverinë Kurti se po rrezikon të izolojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe rajonale, derisa thekson se paralajmërimet e përfaqësuesve gjerman ndaj Kosovës janë serioze.
KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga sekretariati i CEFTA-s, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur sa i përket ecurive të fundit të CEFTA-s në raport me Kosovën.
Ndërkohë, Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj mallrave, duke hequr masën e sigurisë vetëm për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte.