Gjeorgjia do të pezullojë negociatat me Bashkimin Evropian
Bota
Lexohet për: 2 min.
Gjeorgjia do të pezullojë negociatat me Bashkimin Evropian
Foto Arkivë
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Partia qeverisëse e Gjeorgjisë njoftoi sot se vendi do të pezullojë negociatat me BE deri në vitin 2028 dhe do të refuzojë fondet evropiane, duke ndaluar në fakt ofertën e tij për anëtarësim.

Në një deklaratë, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane akuzoi BE-në për një "kaskadë fyerjesh", për përdorimin e negociatave të pranimit për "shantazh" dhe "organizim të një revolucioni në vend".

“Ne kemi vendosur që deri në fund të vitit 2028 nuk do ta vendosim në rendin e ditës çështjen e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu refuzojmë çdo fond buxhetor nga BE deri në fund të vitit 2028”.

Gjeorgjia me 3.7 milionë banorë ka në Kushtetutën e saj anëtarësimin në BE dhe është tradicionalisht më properëndimorja nga të gjitha ish-republikat sovjetike, por raportet me Brukselin janë përkeqësuar muajve të fundit.

BE njoftoi më parë se aplikimi i Gjeorgjisë për anëtarësim ishte ngrirë. Sondazhet tregojnë se rreth 80 për qind e gjeorgjianëve mbështesin anëtarësimin në BE.

Ëndrra Gjeorgjiane është përfshirë vazhdimisht në mosmarrëveshje diplomatike me Brukselin dhe ka thelluar marrëdhëniet me Rusinë fqinje.

Kryeministri Irakli Kobakhidze u tha sot gazetarëve se anëtarësimi në BE mund të dëmtojë ekonominë e Gjeorgjisë, pasi Tbilisi duhet të anulojë marrëveshjet e vizave dhe marrëveshjet tregtare me vendet e tjera.

BE i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit në dhjetor 2023, por ka kritikuar disa ligje si ai për "agjentët e huaj", të drejtat LGBTQ, si të frymëzuara nga Rusia dhe si një pengesë për anëtarësimin.

Vendet perëndimore vlerësuan gjithashtu se zgjedhjet e tetorit, në të cilat blloku Ëndrra Gjeorgjiane fitoi 54 për qind të votave, ishin me parregullsi. Partitë opozitare thanë se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe refuzuan të merrnin vendet e tyre në parlament.

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkon anulimin e zgjedhjeve dhe rishpalljen e tyre, si dhe vendosjen e sanksioneve kundër zyrtarëve kryesorë të Ëndrrës Gjeorgjiane.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025