DnV: Parregullsitë dhe vonesat e rezultateve zbehin besueshmërinë në procesin zgjedhor
Lajme
Lexohet për: 2 min.
cakolli
3 ditë më parë
Linku u kopjua

Eugen Cakolli në emër të Koalicionit Demokracia në Veprim (DnV) deklaroi se procesi zgjedhor i deritanishëm është zhvilluar në përgjithësi i qetë dhe me interesim të lartë nga votuesit, por sipas tij ka pasur parregullsi që është dashur të adresoheshin më herët nga KQZ-ja. Cakolli si dobësi përmendi ngjyrën në gishtat e votuesve. Ai theksoi se, edhe pse gjatë ditës së votimit nuk janë raportuar incidente serioze, problemet teknike pas mbylljes së vendvotimeve kanë ndikuar negativisht në besueshmërinë e publikut dhe kanë lënë një shije të hidhur për procesin zgjedhor.

“Gjatë ditës së djeshme nuk janë raportuar incidente, megjithatë për shkak të problemeve teknike nga KQZ disa orë pas mbylljes DnV konsideron që ky zhvillim ka zbehur besueshmërinë e publikut”, tha ai.

Cakolli tha se fushata zgjedhore, e cila zgjati 30 ditë, ka qenë dinamike dhe me një ritëm të lartë aktivitetesh, por shoqëruar me shkelje nga subjektet politike, duke përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje që ka marrë gjoba mijëra euro nga Paneli Zgjedhor për Parashtresa dhe Ankesa. Ai gjithashtu vuri në dukje interesimin e lartë të mërgimtarëve për të votuar, por theksoi se problemet gjatë transportit të votave kanë ngjallur dyshime për transparencën e procesit.

Sipas tij, vonesat në fillimin e numërimit të votave të kandidatëve janë të papranueshme.

Cakolli ngriti shqetësime edhe për saktësinë e listës së votuesve, e cila përmban rreth 2 milionë emra, duke përfshirë mijëra qytetarë që jetojnë jashtë vendit. Ai kërkoi që KQZ të ofrojë më shumë transparencë në procesin e numërimit të votave, veçanërisht për votat e kandidatëve dhe të mërgimtarëve, duke theksuar se ky proces mund të zgjasë për disa ditë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025