Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim senatorët amerikan Chris Murphy dhe Gary Peters. Këta të fundit kanë kërkuar që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Pas takimit, presidentja Osmani ka thënë se Kosova është vendi më pro amerikan në botë, derisa ka kritikuar Serbinë për moszbatim të marrëveshjes së Ohrit.
Në anën tjetër, senatori Chris Murphy, ka thënë se aleanca e ShBA-ve me Kosovën është e fuqishme dhe jetike.
Ai ka thënë se Serbia duhet të zbatojë marrëveshjen e fundit, por edhe Kosova të konkretizojë zotimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Mbështetje ndaj Kosovës ka deklaruar edhe senatori tjetër, Gary Peters.
“Do të vazhdojmë të shohim mundësitë për të forcuar mundësitë për sigurinë kibernetike, gjithashtu edhe për përmirësimin e marrëdhënieve të forcave ushtarake të ShBA-së për ndërveprueshmërinë me tërë Evropën”, ka theksuar ai.