Selektori Ostlund flet për rëndësinë e kampit me hendbollistët e rinj
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Selektori Ostlund flet për rëndësinë e kampit me hendbollistët e rinj
Në Prishtinë të enjten ka nisur kampi me hendbollistë të rinj, kadidatë për vend në ekipet kombëtare të Kosovës. Kampi është duke u drejtuar nga përzgjedhësi Jesper Ostlund, ndërsa është i fokusuar në aspektin fizik.
Përzgjedhësi i Kombëtares A të Kosovës në hendboll, suedezi Ostlund, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm grumbullimin e lojtarëve të rinj. Ai ka folur për Federatën e Hendbollit të Kosovës lidhur me synimet që i kanë nga ky kamp disaditorë.
“Kur nisa punën me ekipin Kombëtar të Kosovës, menjëherë ishte e qartë se duhej të përmirësonim fizikalitetin tonë. Në Skandinavi, gjendja fizike është prioritet mbi prioritete, me theks të veçantë në stërvitjen e forcës dhe qëndrueshmërinë. Për mua kjo është rruga më e drejtë për t’u zhvilluar si lojtar hendbolli – një nivel i lartë i aftësisë fizike është parakusht për këdo që aspiron të luajë profesionalisht” – ka thënë Ostlund.
Tutje, Ostlund theksoi se qëllimi i shtabit teknik është që lojtarët e rinj të udhëzohen dhe atyre t’u jepet një shtytje në drejtimin e duhur.
“Ne duam që ata të kuptojnë vërtetë rëndësinë e kondicionit, t’u mësojmë se si të strukturojnë orare efektive të punës në palestër dhe të përsosin teknikat e tyre të ngritjes së peshave. Për ta mbështetur këtë, kemi sjellë një trajner force dhe kondicioni nga Suedia, me përvojë në garat e nivelit më të lartë të ngritjes së peshave. Qëllimi i kampit është të nxisë një ndryshim kulturor, duke i siguruar brezit të ardhshëm mjetet thelbësore që u nevojiten për të arritur potencialin e tyre të plotë” – shtoi selektori Ostlund.
Ky kamp do të përfundoj më 17 maj.
KosovaPress