Një jaht luksoz me një pishinë dhe një bodrum vere në pronësi të një shtetasi rus është sekuestruar në Londër si pjesë e sanksioneve të vendosura pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë, tha sot Agjencia Britanike e Kontrollit të Krimit (NCA).
Pas përcaktimit të identitetit të pronarit - një biznesmen rus, emri i të cilit nuk është bërë i ditur - informacioni iu dërgua ministrit të Transportit Grant Shapps, i cili sot urdhëroi "konfiskimin e parë të një super-jahti në ujërat britanike deri më tani", sipas NCA.
“Kjo qeveri do të vazhdojë të ndërmarrë veprime vendimtare kundër kujtdo që përfiton nga lidhjet me regjimin e Putin-it”, shkroi ai në një mesazh në Twitter.
Anija u kap në Canary Wharf në Londër. Edhe pse emri i pronarit të saj nuk është në listën e mijëra personave fizikë dhe juridikë nën sanksionet britanike, ligji britanik lejon sekuestrimin e anijeve në pronësi, të kontrolluara, të marra me qira ose të operuara nga persona të lidhur me Rusinë.
Anija ishte e regjistruar në Saint Kitts dhe Nevis, një parajsë fiskale, dhe lundroi nën flamurin maltez "në mënyrë që të mos dihej se nga vinte", sipas NCA.