Sejdiu: S’duhet t’i ikim dialogut, sanksionet ndaj Serbisë po vonohen
Intervista
Lexohet për: 3 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

​Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu deklaron se Bashkimi Evropian po vonon për të sanksionuar Serbinë. Ai konsideron se për këtë po ndikojnë disa faktorë, megjithatë shton se agresioni serbë i 24 shtatorit, tashmë është i qartë. Sejdiu thekson se Kosova meriton mbështetje të fuqishme dhe se nuk duhet të largohet nga dialogu. Në intervistën për KosovaPress, ish-kryetari i shtetit, deklaron se gjendja në veri është e tensionuar dhe për këtë kanë ndikuar shumë faktorë.

Në aktin e agresionit serbë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, Sejdiu thotë se qëllim ka qenë cenimi i integritetit të Kosovës.

Sejdiu konsideron se nga kjo ngjarje duhet t’i bëhet e qartë Serbisë se Kosova ka kufijë të paprekshëm dhe për mbrojtjen e tyre, garantojnë edhe ndërkombëtarët.

Pavarësisht se ka kaluar një muaj nga sulmi, Sejdiu nuk përjashton mundësinë se akte të tilla mund të ndodhin përsëri.

Sipas tij, Serbia ka për qëllim destabilizimin e Kosovës në emër të të drejtave të minoritetit serb, edhe ashtu i diskriminuar pozitivisht me legjislacionin aktual.

Sejdiu konsideron se Bashkimi Evropian është vonuar në vendosjen e masave ndëshkueshme ndaj Serbisë, pas sulmeve terroriste që ndodhën më 24 shtator, në Banjskë.

“Ka një vonesë. Janë shumë faktorë që e determinojnë një veprim të tillë. Mendohet gjithmonë se me një analizë të skajshme mund të nxirret përgjigja më e mirë, përgjigjja është sheshazi, ka dalë ditën e 24 shtatorit në sulmin, në pjesën veriore të vendit dhe pas atij destabilizimi që kanë tentuar që ta fusim edhe popullatën serbe në lojë, janë të dijshme. Andaj, ne nuk duhet të shqetësohemi në kuptimin e frikës sikur serbët që kanë këtë ambicie që të trembin popullsinë, por duhet të shqetësohemi nganjëherë për hapat e ngadaltë që kanë shkuar deri tash sepse kemi nga fillimi i këtij cikli të bisedimeve nga 2011, deri tash. Prandaj, duhet të bëhet që pala jonë të jetë koperuese sikur ka qenë, kjo s’do të thotë të hiqet dorë nga parimet themelore që ka, dhe asnjëherë çështja e statusit të Kosovës nuk mund të preket”, thotë Sejdiu.

Ndërkaq, masat ndëshkuese që BE ka vendosur Kosovës, Sejdiu thotë se duhet të hiqen. Megjithatë, shton se Kosova duhet t’i kryej detyrat e saj.

Ai thotë se Kosova nuk duhet të largohet nga tryeza e bisedimeve me Serbinë.

Të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati një takim me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak. Në të njëjtën format takimi pati edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Pas takimit, Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor 2023.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024