Alivanosja, dhimbjet muskulare, kokëdhimbja, marramendja, diarrea e të vjellurat janë disa nga simptomat që mund të shkaktoi ekspozimi në temperatura të larta.
E me ngritjen e temperaturave në vendin tonë, është rritur edhe kërkesa e pacientëve për të marrë shërbime mjekësore në institucionet shëndetësore.
Ai tregon se të moshuarit, pacientët me sëmundje kronike dhe fëmijët janë rastet më të shpeshta që kërkojnë trajtim mjekësore si pasojë e të nxehtit.
"Me rritjen e temperaturave të cilat kanë qenë enorme në krahasim me një javë më herët. Nga 23-25 gradë sa kanë qenë normalisht u rritën temperaturat në 38 deri në 40 gradë celsius...Me ngritjen e këtyre temperaturave patëm edhe një fluks të pacientëve dhe mund të themi që mbi 20 për qind të pacientëve është rritur numri i tyre. Jo vetëm në QKMF por në të gjitha njësitë që i kemi në kuadër të QKMF-së, qofshin ato të Mjekësisë Familjare apo edhe ambulanta në fshat. Zakonisht më të shpeshtë kanë qenë pacientë më të moshuar, që kanë sëmundje kronike, qofshin ato kardiovaskulare, të shëndetit mendor ose edhe pacientë të cilët marrin barna, substanca apo barna të ndryshe. Edhe numri i pacientëve të cilët janë fëmijë ose vegjël është rritur numri i tyre, sidomos edhe i gastroenteriteve për shkak të infeksioneve të mundshme, për shkak të rënies së imunitetit”, thotë Hashani.
Ai potencoi se përveç ujit, për të shmangur rrezikun nga infeksionet bakteriale apo virale, pacientët duhen konsumuar më shumë pemë, perime dhe sallata.
Ndër të tjera kryeshefi i QKMF-së në Prishtinë, Valdet Hashani tregon se si pasojë e temperaturave të larta, organizmi i njeriut dehidrohet, duke ndikuar në zvogëlimin e imunitetin, trashjen e gjakut dhe pompimin më të shpeshtë të zemrës.
Gjatë këtyre ditëve, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) dhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) kanë dhënë rekomandime për qytetarët. Ata këshillojnë që në intervalin kohor nga ora 10:00 deri në 16:00 të mos ekspozohen në rreze të drejtpërdrejta të diellit dhe të marrin masa mbrojtëse për të parandaluar ndikimin e nxehtësisë.