Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në prag të 15-vjetorit të pavarësisë, sot kujtoi kohën kur është zgjedhur president i Kosovës. Ai u shpreh se e ka pasur fatin dhe privilegjin që në rrethana të vështira të marrë pozitën e presidentit. Këto dhe deklarata të tjera, Sejdiu i bëri gjatë ligjëratës së organizuar nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, me temën “Kosova 15 vjet shtet – Sfidat e shtetndërtimit”.
Sejdiu, fillimisht u ndal në periudhat e mëhershme, me të cilat është përballur populli i Kosovës.
“Grupi i kontaktit nxjerr tre pikat e fillimit nëntorit të 2005, që thelbi kryesor i tyre ishte; nuk ka kthim të Kosovës në gjendjen e vitit 1999, ishte përgjegjia e parë që jepej për pozitën e rezulutës 1244, nuk ka ndryshim të territorit të Kosovës dhe nuk ka bashkim të Kosovës me dikë tjetër, kjo në gjuhën juridike, politike, filozofi, ishte paralajmërimi se shteti i Kosovës po bëhet.”, tha ai.
Sejdiu u shpreh se ka marrë pozitën e presidentit të vendit në situata të vështira.
Ai u shpreh se ka qenë një bindje se Kosova nuk ka potenciale as politike, as diplomatike karshi përballjes me Serbinë, “e cila ka një traditë të hershme të shtetit”.
Ish-presidenti vijoi se gjatë periudhës në përballje, dy kanë qenë proceset themelore: Kosova donte të qeveriste vetëveten, Serbia dëshironte të qeveriste Kosovën.
“Në shtator të vitit 2006 kam pasë takim në Këshillin e Sigurimit në OKB, në fakt ishte në një zyre krejt tjetër me presidentin Ahtisaari dhe me Frank Visnerin dhe biseda ka qenë në këtë fjali kyçe: Unë po përmbylli procesin, palët s’po pajtohen, ideja e Sarkozit do të vijë pak më vonë, a jeni të kënaqur me Pavarësinë e Kosovës së mbikëqyrur për një periudhë caktuar, domethënë kohore. Nuk kom pasë dilema ju lutem, unë kisha mendimin edhe të kolegëve, nuk kom pasë dilemë se do të jetë kjo fazë e përcjelljes, e cila ka përfunduar me fazën e mëvonshme me Piter Faith-in, në 12-shin. Ishte punë që kapërcen si ujtë nën urë që shkin e s’ndalet dhe atëherë ka dhënë atë propozim, ai propozim i është përcjell sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Monit dhe ka qenë reagimi i tij i shkëlqyeshëm nëse e kujtoni reagimin e parë, po ka qenë e pamundshme të nxirret rezolutë dhe të marrë karakterin ndërkombëtar të mbështetjes nga ana e Këshillit të Sigurimit, por merr karakterin e mbështetjes morale të fuqive kryesore që na kanë mbështetë. Kjo është tepër e rëndësishme.”, tha ai.
Ish-presidenti i Kosovës, ndër të tjera foli edhe për planin franko-gjerman, për të cilin tha se ka qenë “edhe atëherë, franko-gjerman përkatësisht gjerman apo modeli i dy Gjermanive thënë shkurt shqip”.
Ish-presidenti Sejdiu shtoi se temat e mëdha mund të hapen gjithmonë më vonë.
Ai tha se Serbia është ulur në karrigen e turpit me gjithë atë që ka bërë.