Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka folur për synimet e saj në karrierën sportive, duke u fokusuar në kualifikimin për Lojërat Olimpike, garat e rëndësishme ndërkombëtare atë të Lojërave Mesdhetare dhe përgatitjet që po zhvillon në këtë periudhë.
Edhe pse kanë mbetur rreth katër vite deri në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, boksierja Sadiku, ka bërë të ditur se dëshiron me çdo kusht të jetë pjesë e këtij eventi historik, duke e konsideruar si një nga synimet e saj të rëndësishme në karrierë.
Tutje, duke folur për emisionin “SportCast”, Sadiku theksoi se prioritet mbetet forma e mirë fizike, shmangia e lëndimeve dhe përkushtimi maksimal në çdo detaj të stërvitjeve për përgatitjet që po zhvillon në këtë periudhë, me synim kualifikimin në Lojërat Olimpike dhe Mesdhetare.
“Synimi im është që me u kualifiku direkt nga kampionati botëror që besoj shumë që ka me qenë në formën më të duhur. Sendet që varen nga unë, ushtrimet edhe të gjitha të tjerat, çdo send që varet nga unë ka me qenë 100%. Mirëpo ndonjëherë gjatë rrugës ndodh me u sëmur, ndodh shëndeti, ndodhin sende që nuk varen nga unë. Kështu që po besoj shumë që ka me pasur fat, së pari me pas fat, me qenë në formën më të duhur edhe po besoj shumë që nga kampionati botëror kam me u kualifiku që me e pas mendjen time më të qetë drejt Olimpiadës që mos me mbajt mendime se me u kualifiku, me udhëtu, me marrë pjesë kështu që i rri gati me trajnim, me gara ku e sheh trajnerja me marrë pjesë që me qenë sa më mirë për Lojërat Olimpike” – shtoi Sadiku.“Jemi në fazë pak më tepër përgatitore që synimin e kemi në Lojërat Mesdhetare. Kemi ende kohë për me e rrit intensitetin e punës. Kështu që vetëm jemi duke e mirëmbajt formën, lëndimet operimin sa më të mirë, një fazë, me kriju një fazë të qetësisë që me qenë e gatshme mandej për dy garat shumë të rëndësishme që i kemi Lojërat Mesdhetare. Masandej mbas 13/15 ditë, e kemi menjëherë Kampionatin Evropian, kështu që është shumë e rëndësishme kjo fazë e rikuperimit” – tha Sallauka.
Donjeta Sadiku po dëshmon se është një nga sportistet më të rëndësishme në vend, duke synuar suksese të reja me medalje të artë në garat ndërkombëtare, si shenjë e rritjes dhe pjekurisë së saj sportive.