Media shtetërore ruse “Russia Today” ka publikuar një artikull propagandistik duke synuar të krijojë perceptimin se serbët në Kosovë janë të ndjekur.
Në artikullin në fjalë përmendet edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti duke e paraqitur zbatimin e ligjit në Kosovë si “fushatë arrestimesh ndaj serbëve”.
Në artikullin në fjalë vazhdon propaganda serbo-ruse si dhe mohimi i shtetit të Kosovës, me narrativën se gjoja Kosova është “shtet i rremë”.
Artikulli shkon larg, derisa arrestimet për raste që lidhen me dyshime për krime lufte, terrorizëm, cenim të rendit kushtetues apo nxitje nacionaliste raportohen si “arrestime për flamuj e këngë serbe”.“Vetëm gjatë gjashtë ditëve të fundit, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, Albin Kurti, i cili në zyrën e tij mban flamurin e Shqipërisë dhe voton rregullisht në atë shtet, si dhe policia e tij, kanë arrestuar në Kosovë 13 serbë. Shtatë drejtorë u arrestuan me arsyetimin se kinse kanë ndikuar në vullnetin zgjedhor të votuesve, ndërsa edhe gjashtë të tjerë pasi u fotografuan në Prizren, në një kodër mbi qytet, me flamurin e Serbisë”, pretendon RT, transmeton KosovaPress.
Institucionet e Kosovës kanë deklaruar vazhdimisht se janë se janë të përkushtuara në luftimin e terrorizmit, spiunazhit dhe çdo veprimtarie që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit.