Trupat ruse nisën një valë të re sulmesh ndaj pozicioneve ukrainase dhe vendbanimeve civile ndërsa luftimet e ashpra vazhdojnë në lindje të Ukrainës.
Presidenti Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se situata në terren është tejet e vështirë pasi forcat ruse po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të thyer mbrojtjen e forcave ukrainase. Sipas inteligjencës britanike forcat ruse kanë nisur një sulm më të bashkërenduar në Vuhledar, një qytet minierash qymyri në rajonin e Donjeckut, që është bërë pika e qendrore e betejës për kontrollin e Ukrainës lindore.
Ekspertët ushtarakë thonë se Moska është e vendosur të fitojë territore të reja në Ukrainë në muajt e ardhshëm, përpara se Kievi të marrë qindra tanke dhe automjete të blinduara nga Perëndimi.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë rënë dakord që t’i japin Ukrainës tanke Abrams dhe Leopard 2, ndërsa më herët Mbretëria e Bashkuar bëri të ditur se do të dërgojë 14 tanke të llojit Challenger 2. Kryeministri Rishi Sunak është shprehur se nga një konflikt të gjatë do të përfitonte vetëm Rusia prandaj mbështetja ushtarake i duhet dhënë sa më shpejt Ukrainës.