Rusia feston fitoren në Bahmut, Kievi pretendon që luftimet vazhdojnë
Lexohet për: 2 min.
Ukraina1
1 vit më parë
Linku u kopjua

Rusia ka shpallur fitoren në Bahmut, qytet në lindje të Ukrainës, ndonëse zyrtarët ukrainas pretendojnë se luftimet vazhdojnë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, më 21 maj, në Japoni ka thënë se pak ka mbetur nga Bahmuti dhe se qyteti është shkatërruar pothuajse plotësisht.

I pyetur nëse Bahmuti ishte nën kontrollin e Ukrainës, Zelensky nuk ka qenë plotësisht i qartë, por ka thënë: Mendoj që jo”, gjë që u interpretua si konfirmim i humbjes së Bakhmutit.

“Sot, Bahmuti është vetëm në zemrat tona”, është shprehur Zelensky në Hiroshimë, ku ka qenë i ftuar në samitin e grupit G7, ku kanë marrë pjesë liderët e vendeve më të zhvilluara ekonomikisht në botë.

Megjithatë, zyra e presidentit ukrainas më vonë ka sqaruar se Zelensky nuk ka deklaruar se qyteti ka “rënë”.

Zëdhënësi i presidentit ukrainas, Sergiy Nykyforov ka mohuar pretendimet se Bahmuti ka rënë në duart e forcave ruse, shkruan Rel.

Ai i ka thënë CNN-it se përgjigja e Zelenskyt, “mendoj që jo”, i referohej pretendimeve ruse se ata kishin pushtuar qytetin.

“Presidenti mohoi që Bahmut ishte marrë”, ka thënë Nykyforov.

Deklarata e presidentit ukrainas ka ardhur disa orë pasi ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se forcat e ushtrisë private Wagner, të mbështetura nga trupat ruse, kanë marrë Bahmutin.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025