Rubio: SHBA-ja nuk është e përfshirë në sulmet kundër Iranit
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Rubio: SHBA-ja nuk është e përfshirë në sulmet kundër Iranit
marco rubio
13/06/2025 - 07:35
Linku u kopjua

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio tha se nuk kishte përfshirje ose ndihmë të Shteteve të Bashkuara në sulmet e Izraelit ndaj Iranit.

“Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të përfshirë në sulme kundër Iranit dhe prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e forcave amerikane në rajon”, tha Rubio, sipas deklaratës zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në X.

Izraeli ka nisur sulme të papara ndaj Iranit, duke synuar programin e tij bërthamor dhe udhëheqësit e lartë ushtarakë në një sulm që kryeministri Benjamin Netanyahu tha se do të zgjasë.

Udhëheqësi suprem i Iranit paralajmëroi se Izraeli do të përballet me "ndëshkim të rëndë".

“Izraeli na njoftoi se ata besojnë se ky veprim ishte i nevojshëm për vetëmbrojtjen e tij. Presidenti Trump dhe Administrata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur forcat tona dhe mbeten në kontakt të ngushtë me partnerët tanë rajonalë. Më lejoni të jem i qartë: Irani nuk duhet të synojë interesat ose personelin e SHBA-së”, tha tutje Rubio.

Gjenerali Hossein Salami - komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, u vra në sulm. Ai ishte ndër figurat më të fuqishme të vendit.

Sulmi vrau gjithashtu gjeneralmajor Mohammad Bagheri - oficerin më të lartë ushtarak të Iranit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se "Operacioni Rising Lion" “[Luani që ngrihet]” goditi impiantin kryesor të pasurimit të Iranit në Natanz, shkencëtarët bërthamorë dhe atë që ai e quajti "zemra e programit të raketave balistike të Iranit".

https://kosovapress.com/izraeli-sulmon-centralet-berthamore-dhe-udheheqjen-ushtarake-te-iranit

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026