Rikthimi i Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk është parimor dhe po bëhet për interesa personale, thotë ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.
Sipas tij, binomi Osmani–Lumir Abdixhiku nuk është i sinqertë, por krejtësisht një kalkulim i një nevoje individuale për të mbetur në një mënyrë ose tjetër në skenën politike. Madje, ai thekson se edhe bashkimi i disa ish-deputetëve të Guxo-s me Osmanin u bë për raporte personale e jo për ndershmëri dhe parimësi politike.
“Nuk ka asgjë parimore në këto lëvizje, kjo është e vërteta, krejtësisht janë edhe raporte personale edhe kalkulime personale. Nuk ka as, le të themi, ndershmëri politike e as parimësi politike... Pikërisht disa prej figurave që kanë lëvizur kanë qenë figura të cilat me zë të lartë kanë vlerësuar lart Albin Kurtin si kryeministër reformator, projektin e përbashkët që kemi nisur në vitin 2021. Po zoti Avdyli, zonja Statovci, por që formalisht i takojnë një partie politike, kuptohet, por kanë qenë më të zëshmit do të thoja. Madje edhe më të zëshmit sesa vetë unë që jam prej vitesh aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, në raport me vlerësimin e Albin Kurtit, të profilit të tij politik, të vendosmërisë së tij, të pastërtisë së tij, të guximit të tij, të përkushtimit për interesat e shtetit të Kosovës, në luftën kundër korrupsionit, përballë Serbisë, shtrirjen e sovranitetit. Por prandaj ka shumë rëndësi edhe kur e thua, a e beson apo e ke instrumentale në raport me qytetarët... E kam fjalën që nuk kanë ndershmëri politike në kuptimin e përmbajtjes. Ato janë krejtësisht lëvizje individuale të ndikuara nga raporte personale”, thotë ai.
Sipas tij, Abdixhiku ishte jo i sinqertë në takimet me Kurtin për zgjedhjen e presidentit dhe po i mbante thjesht për kalkulime elektorale.
Rrustemi thotë se po të ishte serioz Abdixhiku për zgjedhjen e Vjosa Osmanit për presidente, do ta sfidonte LVV-në para datës 5 mars e jo pas kësaj date, kur u kuptua që LVV-ja nuk do ta kandidonte për presidente.