Me tingujt e rock-ut dhe blues-it ka nisur edicioni i katërt i “Rock & Blues Music Festival” në Prizren.
Mbrëmjen e parë performuan 3 Musketjerët, Attitude GNR Band dhe TNT, Rool dhe Zwada Band.
Këngëtari Redon Makashi është shprehur i lumtur që rikthehet në “Rock & Blues Music Festival” në Prizren, duke vlerësuar organizimin dhe atmosferën e festivalit.
“Është edhe për ne një kënaqësi e veçantë për të tre çunat, që është viti i dytë që ne jemi në një festival të tillë. Po më duket se kësaj radhe ka përmasa akoma më të mëdha, me sa po shoh”, tha Makashi.“Po kemi disa plane, por gjithmonë kur i themi, asnjëherë s’bëhen. Po është në plan projekt një album, prej nëntë materialesh, nëntë këngësh dhe një koncert sërish me këngët e reja, jo me këngët e vjetra që kemi pasur. Po kjo pra është, po kur e themi, sa bëhet, na merrni sysh, gjithmonë është ajo ideja kur, para se të bësh një gjë, kur e fryn shumë, për çudi nuk ecën. Kur rri kështu, si në heshtje, papritmas del projekti. Kështu që, së shpejti do të dalë”, u shpreh Makashi.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, për KosovaPress ka folur për rëndësinë e “Rock & Blues Music Festival”, duke theksuar se kjo ngjarje po e pasuron jetën kulturore të qytetit dhe po tërheq çdo vit gjithnjë e më shumë të rinj.
“Ne kemi pasur një vizion për një jetë kulturore në Prizren. Edhe ai vizion përbëhet prej shumë festivaleve, shumë aktiviteteve kulturore edhe plotësimit të tërë vitit me aktivitete të llojllojshme. Ne e kemi në plan sivjet me filluar për herë të parë Jazz Festivalin e Prizrenit, sepse periudha kohore shtator, tetor, nëntor nuk ka pasur kush e di çfarë aktiviteti. Edhe atë periudhë tremujore për me mbuluar kemi vendosur me filluar me Jazz Festival. Jam shumë i sigurt që do të ketë pritje të mirë. Sivjet do të ketë dy mbrëmje, diku nga mesi i nëntorit edhe pastaj, në varësi se qysh pranohet, qysh pritet, e vendosim viteve të ardhshme çfarë do të bëjmë. Ama rock festivali do të vazhdojë edhe do të rritet edhe viteve në vijim do të kemi bende edhe më të mëdha, emra edhe më të mëdhenj, edhe pse këtë vit po ashtu kemi bende shumë të mira edhe numri i madh i të rinjve që po vijnë edhe po e rizbulojnë rock muzikën e dëshmon këtë”, u shpreh Totaj.
Derisa sonte festivali vazhdon me Kolpa, Led Zeppelin 2 dhe BB Pool në skenën kryesore, si dhe Hawolf e Dolduzgin Band në "Sunset Stage". Kjo datë përkon edhe me Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ç'rast pritet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë.
Edicioni i sivjetmë do të mbyllet më 5 korrik, me performancat e Dire Straits Legacy, Telex dhe Beska & All Stars Band në "Main Stage", ndërsa në "Sunset Stage" do të ngjiten Urban Band & Flavia Zare dhe Dhjetori.