Institucionet e Kosovës nuk po reagojnë mjaftueshëm karshi dezinformatave që po bëhen vendit nga mediat serbe. Prandaj, nga autoritetet shtetërore të Kosovës kërkohet reagim i përditshëm dhe i shpejtë karshi këtyre dezinformatave që kryesisht lidhen me sigurinë dhe politikën.
Kështu tha për KosovaPress hulumtuesi në “Hibrid”, Festim Rizanaj, i cili theksoi se nga një raport i nxjerrë nga kjo organizatë del se dezinformatat dhe karremi për klikime janë më dominueset në mediat online.
Ndërsa, siç tha ai, klikimet janë nxitur nga tema sociale.
“Në kuadër të raportit që është publikuar 6 mujor ka dal që dezinformtat dhe ‘Clickbait’ me qenë më dominues. Në bazë të periudha kohore kryesisht këto të dyja kanë dominuar. Dezinformata më shumë ka pasur në kuadër të mediave që publikojnë në gjuhën serbe dhe kryesisht janë lidhur me çështjet e sigurisë dhe politikës, duke i përfshirë edhe zhvillimet në veri që kanë ndodhur kohët e fundit. ‘Clickbait’ zakonisht përfshinë ato tema sociale të ndryshme që e nxisin qytetarin të klikojë atë artikull ku bëhet fjalë për ndihma sociale të ndryshme, përkrahje për pensionistët apo çështja e trustit etj...Me shifër nuk mundemi me fol rreth numrit sesa por varet nga zhvillimet politike dhe dinamizmit të ngjarjeve që ka”, theksoi Rizanaj.
“Institucionet përkatëse është e nevojshme që të reflektojnë më shpejt në raste të tilla, sepse në sferën digjitale mos me dominua narracioni i krijuar nga mediet në gjuhën serbe për Kosovën, sepse ata e krijojnë një narracion të tillë dhe zë vend, institucionet përkatëse, duke u përfshirë Ministria e Punëve të Jashtme apo të tjerat që duhet të merren me çështje të caktuara duhet të merren më shpejt që t’i demantojnë dhe t’i verifikojnë ato narracione dezinformuese që krijohen nga mediat në gjuhën serbe në mënyrë që në ekosistemin digjital të dominojnë faktet për Kosovën e jo narracionet dezinformuese që janë kundrejt Kosovës...Nuk është e mjaftueshme për faktin se ky narracion dezinformues i mediave serbe është i përditshëm kështu që institucionet e Kosovës duhet të kenë reagime të përditshme dhe të shpejta”, u shpreh Rizanaj.
Ai shtoi se mediat në gjuhën serbe janë bërë promotor i narracionit dezinformues të medieve ruse.
Lidhur me atë se sa është i rregulluar tregu medial karshi keqinformimit, hulumtuesi Rizanaj theksoi se Komisioni i Pavarur i Mediave, por edhe ai i Mediave të Shkruara kanë mungesë të kapaciteteve në mënyrë që ta bëjnë punën në mënyrë të duhur.
“Sistemi rregullues i mediave KPM (Komisioni i Pavarur i Mediave) i cili në mënyrën e vet të funksionimit mundohet që t’i rregullojë mediat, por ka mungesë të kapaciteteve të nevojshme për të realizuar punën në nivel të duhur, është institucioni tjetër vetërregullues Këshilli i Mediave të Shkruara dhe ky Këshill në njëfarë forme nuk është i strukturar në atë nivel që ta kryejë detyrën në mënyrë të duhur për mungesë të kapaciteteve të përfshirjes totale. Sigurisht që këto dy institucione duhet të azhurnohen edhe për aspektin e portaleve të ndryshme digjitale për shkak se ato po e dominojnë komunikimi dhe informacionin. Mediat duhet të kenë kujdes në aspektin e respektimit të hierarkisë tradicionale të gazetarisë në mënyrë që informacioni para se të publikohet të kalojë nëpër filtrat si redaktoi, lektori, kryeredaktori në mënyrë që kur të dalë informacioni, të dalë me nivel të duhur e jo të sakrifikohet informacioni për hir të shpejtësisë apo për interesa të ndryshme financiare e politike”, u shpreh ai. /B.Ibishi/