Prokurorja e Specializuar Kimberly West viziton Kosovën
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Prokurorja e Specializuar Kimberly West viziton Kosovën
Foto Arkivë
21 orë më parë
Linku u kopjua

Prokurorja e Specializuar Kimberly West po viziton Kosovën për një numër takimesh.

Lajmi është bërë i ditur sot në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë detaje për takimet e ish-prokurores federale amerikane me përvojë të gjerë në hetimet penale vendase dhe ndërkombëtare, e cila në qershor 2023 u zgjodh prokurore speciale pas një procesi të organizuar nga BE.

Vizita e West në Kosovë vjen pasi gjykata në Hagë më 6 dhjetor konfirmoi  aktakuzën e re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Komunës së Malishevës Isni Kilaj dhe Fadil Fazliut, për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Wst midis viteve 2008 dhe 2013 shërbeu si prokurore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku ishte anëtare e ekipit që ndoqi penalisht kriminelin Radovan Karaxhiq për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës.

Ajo ishte gjithashtu shefe e Byrosë Kriminale në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Massachusetts - SHBA, midis viteve 2015-2019.  

Kimberly West është prokurorja e tretë e specializuar, duke pasuar Jack Smith, i cili u largua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në nëntor 2022 dhe David Schwendiman, i cili shërbeu midis viteve 2016-2018.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024