Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për shmangie nga afati procedural për rishikimin e Ligjit për Buxhetin 2026 në votimin e së shtunës në Kuvend, ka dështuar.
Mocioni për këtë çështje mori 57 vota “për” ndërsa 48 deputetë votuan “kundër”. Mirëpo, para votimit pati debat mes pushtetit dhe partive opozitare. Përfaqësues të qeverisë dhe shumicës në parlament thanë se rishikimi parasheh pakon mbështetëse për qytetarët që lidhet me inflacionin, e cila kap vlerën prej 200 milionë euro, ndërkaq opozita kundërshtoi procedurat e ngutura.
“Shmangie nga afatet e përcaktuara për shqyrtimin e projektligjit për ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026. Propozojmë që shqyrtimi i këtij projektligji të bëhet në datën e sotme. Nevojat e reja financiare dhe veçmas për shkak të situatës aktuale që gjendemi si Kuvend”, tha ajo.
Por, ky propozim nuk u mirëprit nga LDK. Deputeti i kësaj të fundit, Besian Mustafa, tha se rishikimi i buxhetit është çështje e rëndësishme dhe jo një ligj i rëndomtë, andaj, sipas tij, nuk duhet të diskutohet në mënyrë të përshpejtuar dhe me shmangie të procedurave.Kritika për këtë çështje nuk i kurseu as AAK, me anë të shefit të saj në Kuvend, Besnik Tahiri.
“Sot nuk guxojmë të rrezikojmë shtetin duke i fundosur, shkelur secilin rregull që institucioni më i madh ligjvënës e ka. Parlamenti nuk është vend për vendime të rastësishme. Nuk është për improvizime dhe iniciativa çdo ditë jashtë rendit të ditës”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, deputetët nuk miratuan shmangien e procedurave as për trajtimin e Projektligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe Projektligjit për energjinë elektrike. /KosovaPress/