Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nga sot ka filluar afati për subjektet politike për të aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit dhe për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë.
Këto dy faza të rëndësishme të procesit zgjedhor përfundojnë në data të ndryshme, ndërsa për dorëzimin e listave të kandidatëve, subjektet politike do të kenë në dispozicion një periudhë më të gjatë kohore.
“Duke filluar nga data 2 maj dhe deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Elezi.
Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025, morën pjesë 28 subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidatë i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë që përfaqësonin këto subjekte politike ishte 1,280.
Ndërkohë, në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 28 dhjetorit, KQZ certifikoi 1,180 kandidatë për deputetë, që përfaqësonin 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.