Rezultatet e anketës, ja si votuan qytetarët nëse qeveria e ardhshme do të jetë LVV-PDK
Lexohet për: 2 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua
Tema e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë është riaktualizuar pas takimit në mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, takim ky që ndodhi pas ftesës së shefit të ekzekutivit.
Partia më e madhe opozitare e kishte pranuar ftesën derisa takimin e refuzuan Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
KosovaPress ka realizuar një anketë ku qytetarët për një javë kanë votuar në pyetjen nëse qeveria e ardhshme do të formohet mes partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës.
Nga 633 anketues që morën pjesë, 32 për qind ose 206 prej tyre votuan pro këtij koalicioni, kurse kundër votuan 363 anketues ose 57 për qind.
Ndërsa, 64 pjesëmarrës ose 10 për qind të tjerë në anketë thanë se “Nuk e dinë” nëse qeveria e ardhshme do të jetë LVV-PDK.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, kishte theksuar nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Ai tha se zgjedhjet e reja janë nevojë e qytetarëve, siç tha pas dështimeve të njëpasnjëshme të qeverisë Kurti.