Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka hedhur poshtë ftesën e kryeministrit Albin Kurti për takim me opozitën për të hënën në orën 18:30, në njërin nga hotelet në Prishtinë, ndërkohë që ngjashëm nuk ka vepruar edhe Partia Demokratike e Kosovës, teksa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka marrë ende vendim.
Kryeministri Albin Kurti ftoi dje opozitën për një darkë pune, në të cilën do të diskutohej mbi agjendën legjislative të Kuvendit të Kosovës për sezonin pranveror. “Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre,” thuhet në letrën e kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku drejtuar kryeministrit Kurti. Abdixhiku ka thënë se partia që ai drejton do të vazhdojë të jetë përkrahëse e interesave madhore të Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e takimit.