Rezoluta për Srebrenicën, serbët në veri shprehin “mbështetje për Vuçiq”
Lexohet për: 2 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Qytetarët serbë në Mitrovicë të Veriut kanë parakaluar sot me veturat e tyre në rrugë, në shenjë mbështetjeje për serbët dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, pasi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u miratua rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

Dhjetëra automjete, në të cilat ishin vendosur flamuj të Serbisë, lëvizën në rrugët e Mitrovicës Veriore, por nuk dihet se kush qëndron prapa këtij organizimi.

Ndërkaq, në Beograd të Serbisë makina me flamuj serb parakaluan në rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj rezolutës së miratuar. Edhe në Podgoricë u mblodhën qytetarë para Qeverisë së Malit të Zi për të kundërshtuar votimin e shtetit të tyre pro rezolutës, me thirrjet “tradhti” e “Rusi”, teksa u panë flamuj rusë dhe serbë.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sot rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, ku forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995. Krimi në Srebrenicë njihet si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.

Rezoluta e miratuar, ndër të tjera, bën thirrje për "dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin".

Për gjenocidin në Srebrenicë, deri më tash u dënuan mbi 50 persona me rreth 700 vjet burg. /REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024