“Rëndohet” shporta e konsumatorit, qytetarët kërkojnë nga qeveria të merr masa
Lexohet për: 3 min.
cmimettt
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Rritja e çmimeve të konsumit po e bën jetesën më të vështirë për qytetarët e Kosovës. Ata shprehin shqetësim për çmimet e larta të artikujve, duke i konsideruar si të papërballueshme në krahasim me të ardhurat e tyre. Pagat e ulëta dhe rritja e importit përmenden si faktorë kryesorë që po ndikojnë negativisht në standardin e jetesës.

Agjencia e Statistikave të Kosovës të premten ka njoftuar se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare 2.2% në korrik të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë 2023. Inflacioni mujor ishte 0,3% në korrik 2024.

Qytetari Ukë Stojki për KosovaPress thotë se çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur përtej normales. Ai thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i rrisë pagat.

Edhe Mexhit Jetullahu vlerëson se çmimet nëpër makete janë tepër të larta. Ai thotë se pa ndihmën financiare të familjes, nuk do të mund t’ia dalë.

Rasim Hajdari thekson se çmimet janë të papërballueshme në krahasim me të ardhurat. Ai thotë se qeveria duhet të ndërmerr hapa për uljen e tyre si dhe të zvogëlojë importin.

Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku shprehet skeptik se do të ketë ulje të çmimeve të produkteve. Ai potencon se rritja e çmimit të konsumit po i dëmton konsumatorët dhe se qeveria duhet të merr masa socio-ekonomike për përkrahjen e shtresave më të rrezikuara.

Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj në një prononcim për KosovaPress thotë se rritja e çmimit të shportës së konsumit në vazhdimësi e ka rënduar jetën e qytetarëve.  Sipas tij, pagat e ulëta dhe rritja e importit janë faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë situatë.

Kadrijaj thotë se ky raport duhet të jetë alarm për qeverinë për të ndërmarrë masa.

Në njoftimin e ASK-së thuhet se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,2% në korrik të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kjo është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: bileta të fluturimeve (22%); kafe, çaj dhe kakao (7,7%); peshq (7,7%); pije alkoolike (7,2%); pemë (6,3%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (5,9%);  mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,6%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (5,6%); veshje (4,9%); kujdes personal (4,3%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (3,7%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (3,6%); bukë dhe drithëra (3,1%); duhan (2,7%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (2,1%); prodhime ushqimore (2,1%); shërbime hoteliere (1,9%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (1,8%); pajisje shtëpiake (1,5%); mish (1,4%); energji elektrike (0,9%); dhe qumësht, djathë dhe vezë (0,3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,4 për qind në IHÇK.

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: perime (-5,2%) me një ndikim prej (-0,2 për qind) në IHÇK. /Z.Zeneli/

https://kosovapress.com/rriten-cmimet-e-konsumit

https://kosovapress.com/per-nje-vit-cmimet-e-konsumit-u-rriten-per-7-6-per-qind

https://kosovapress.com/rriten-cmimet-rendohet-2-9-per-qind-me-shume-shporta-e-qytetarit

https://kosovapress.com/qytetaret-ankohen-per-cmimet-e-derivateve-naftetaret-nuk-reflektojne-pas-vendimit-te-mint-it

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024